Uashington, 24 janar 2024 – Gara paraprake e Partisë Demokrate në Nju Hempshër përfundoi me fitoren e Presidentit Joe Biden, megjithëse emri i tij nuk ishte pjesë e fletës së votimit.
Presidenti Biden nuk pranoi të paraqitej në fletën e votimit në Nju Hempshër, pasi ky shtet nuk pranoi kërkesën e demokratëve që zgjedhjet paraprake këtë vit të fillonin nga shteti i Karolinës së Jugut.
Fitorja në Karolinën e Jugut i dha një ndihmesë të madhe ish kandidatit Biden në zgjedhjet paraprake demokrate të vitit 2020, pas disa rezultateve të dobëta në shtetet e tjera.
Në zgjedhjet paraprake të vitit 2020 në Nju Hempshër, zoti Biden doli i pesti në listën e kandidatëve demokratë.
Demokratët e Nju Hempshërit thonë se ligjet e shtetit kërkojnë që ata t’i mbajnë zgjedhjet e para paraprake. Për këtë arsye votat për zotin Biden u desh të shkruhen me dorë nga votuesit.
Mediat amerikane raportojnë se zoti Biden tani është përqëndruar kryesisht te gara e përgjithshme dhe jo ajo brenda partisë. Por përpara se zgjedhjet e përgjithshme të mbërrijnë zyrtarisht, zoti Biden do të marrë pjesë në garat paraprake të demokratëve muajin e ardhshëm në Karolinën e Jugut, Nevada dhe Miçigan.
Zgjedhjet brenda partive në Karolinën e Jugut zhvillohen në muajin shkurt, më datë 3 për demokratët dhe 24 për republikanët. Gara paraprake në këtë shtet është e hapur për të gjithë votuesit, pavarësisht përkatësisë partiake, çka nënkupton që banorët mund të marrin pjesë në garën që duan, pa dallim partiak, por nuk mund të votojnë në të dy garat.
(Zëri i Amerikës)