Ronald Nasson, kryetar i Shoqatës së Veteranëve Shqiptaro Amerikanë ndërroi jetë në moshën 91-vjeçare
Nga Ruben Avxhiu
Ron Nasson ishte 91 vjeç e megjithatë, më duket sikur iku shumë shpejt. U mëzita shumë kur mora vesh lajmin. Ishte pa dy dyshim një nga shqiptaro-amerikanët e mi më të dashur e që do të më mungojë.
Ron u lind në 8 gusht 1932, në Jamaica Plain, nga dy emigrantë nga Shqipëria. Emri i tij i plotë ishte Ronald Vangel Nasson.
Prindërit e tij Andrew Nasson dhe Natalie Apostoli, kishin ardhur në SHBA në 1915. Andrea ishte nga Treska kurse Natalia nga Katundi, në rrethin e Korçës.
Në 1920 morën nënshtetësinë amerikane.
Ronaldi u rrit në Jamaica Plain. Në Amerikën “e largët”, ai u edukua me dashurinë për Shqipërinë dhe nuk e harroi asnjëherë atdheun e të parëve.
“E humba pak gjuhën shqipe sepse shkova në ushtri dhe më pas në universitet dhe kështu kam qenë larg familjes ku flitej shqip”, ka treguar ai në një intervistë me gazetën tonë “Illyria”, në vitin 2014.
Vitet më formuese për të rastisën me Luftën e Dytë Botërore, kur i gjithmë kombi amerikan mbante frymën për zhvillimet në Europë, Azi e kudo ku zbarkuan për të luftuar ushtarët amerikanë. Mbi 400,000 prej tyre humbën jetën në luftë.
Shumë shqiptaro-amerikanë veshën luftuan në Ushtrinë Amerikane. Disa prej tyre u dërguan edhe në Shqipëri për të krijuar lidhje me formacionet anti-fashiste, si është përshkruar në disa libra të kohës sonë, përfshi edhe nga Peter Lucas, një nga shokët e Ronit.
Në vitin 1950, kur mbushi 18 vjeç, u regjistrua në Ushtrinë Amerikane.
“Besoja se e kisha për detyrë dhe isha i mbushur me ndjenja patriotike. I rritur në vitet e Luftës së Dytë Botërore, gjithmonë i kam nderuar dhe respektuar veteranët tanë shqiptaro amerikanë”, tregon ai në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, në vitin 2010.
Dy vjet më vonë, në 1952, si pjesëtar i marinës shërbeu në Luftën e Koresë, përplasja e parë masive me forcat komuniste kur përplasja me botën komuniste nuk ishte kthyer ende në Luftë të Ftohtë.
“Nuk kam kujtime të mira nga lufta. Por ajo që më ka lënë më shumë mbresë është se ne i shërbyem vendit me një ndjenjë të lartë përgjegjësie dhe respekti”, tregon ai.
Pas dy vjetëve në Kore, u kthye në SHBA për të vijuar jetën. Pa shumë shokë të tij që i mbijetuan luftës por u rrënuan shpëirtërisht e nuk u riintegruan dot në shoqëri pas saj. Për t’u ardhur në ndihmë veteranëve të luftës kishte shumë organizata madje edhe një department në qeverinë amerikane.
Edhe shqiptarët kishin krijuar shoqatën e tyre në vitin 1946, e njohur si Shoqata e Veteranëve Shqiptaro Amerikanë. Pas kthimit nga Koreja, edhe Ronaldi u bë pjesë e saj. Më vonë e zgjodhën kryetar, apo Komandant, një rol që e luajti me përkushtim të madh deri në fund të jetës.
Në fillim shoqata kishte 300 veteranë vetëm në Massachusetts, nga të cilët rreth 100 jetonin në Boston me rrethinat. Numri i tyre erdhi duke u shuar, për shkak të moshës. Komandant Roni ishte nga të fundit të mbetur gjallë.
Ka plot shqiptaro-amerikanë që kanë shërbyer në ushtri në Vietnam, Irak, Afganistan, e vende të tjera por për shkak të shpërndarjes gjeografike nuk ka pasur mundësi për t’u organizuar në një shoqatë. Bostoni dhe Massachusetts ofronte në atë kohë një përqendrim të madh ish-pjesëmarrësish në Forcat e Armatosura Amerikane.
Nasson mbeti deri në fund të jetës krenar që kishte shërbyer vendit të madh demokratik e të lirë. Ishte krenar që shqiptaro-amerikanët kishin kontribuar për këtë vend.
Në vitin 1957, u martua me shoqen e tij të jetës, Iris, me të cilën kaluan gati shtatë dekada së bashku, rritën një familje të bukur e të madhe, me 10 fëmijë e 17 nipër e mbesa.
Ron ishte i përkushtuar edhe në Kishën Ortodokse Shqiptaro Amerikane. Si djalë i ri e kishte njohur Fan Nolin nga afër. Kushdo që ka pasur lidhje me Ronin në këto vite ka marrë prej tij mesazhet e rregullta me email, për ngjarjet e Kishës e të Veteranëve. Mik i ngushtë i Artur Liolinit e një veprimtar e besimtar i devotshëm, ishte i kudondodhur.
Kur ra komunizmi në Shqipëri udhëtoi disa herë në atdhe.
Këmbënguli për shumë vite, që Shqipëria të kishte një lloj lapidari a monumenti për ushtarët amerikanë me origjinë shqiptare që ishin dislokuar në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Propozimi mori drejtim kur në vend që të vendosej në kryeqytet, Nasson provoi të siguronte vendosjen e monumentit në Korçë, nga zona e të cilës ishin shumica e oficerëve që shërbyen në Shqipëri.
Kryebashkiaku i asaj kohe, Sotiraq Filo, e mirëpriti, por Nasson kërkoi që aprovimi të bëhej sa më shpejt. Vetëm tre nga veteranët e asaj kohe ishin ende gjallë dhe mund të mos ishin në gjendje të udhëtonin më. Njëri prej tyre madje ishte 93 vjeçar dhe kishte ofruar 1,000 dollarë ndihmë që të realizohej monumenti.
“E falenderova por ia refuzova paratë”, tregonte Nasson për gazetën “Illyria”, duke thënë se në moshën dhe gjendjen që ishte nuk mund të pranoja që të shpenzonte.
Më në fund në vitin 2014, kur u bë një ceremoni e bukur shtetërore në Korçë, me pjesëmarrjen e Ambasadorit amerikan të kohës në Shqipëri Aleksandër Arvizu, ish presidentit Alfred Moisiou, peshkopit të Korçës, Hirësia e tij, Johani, e zyrtarë të tjerë. Komandant Ron Nasson e disa anëtarë të Shoqatës së Veteranëve Shqiptaro Amerikanë morën gjithashtu pjesë në ceremoni.
Merrte pjesë edhe veterani dhe gazetari shqiptaro-amerikan, Peter Lucas, të cilin Nasson e falenderoi për gjurmimin dhe zbulimin e emrave të 26 amerikanëve që kishin shërbyer në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Emrat e të gjithëve u vendosën në pllakën përkujtimore, në monumentin që ndodhet edhe sot e kësaj dite në Korçë.
Duke mbajtur një fjalë të shkurtër, atë ditë, Komandant Nasson i veshur me uniformën ushtarake të marinist të kohës së tij, tha ndër të tjera se “populli shqiptar do t’i ruajë përjetë në kujtesë Kapitenin Thomas Stephan dhe ushtarët amerikanë të OSS-s që zbritën nga qielli për të ndihmuar Shqipërinë në kohë krize”.
“Sot”, tha ai, “nderojmë bijtë e Shqipes që kontribuan për t’i sjellë lirinë Shqipërisë”.
Në fakt, lufta në atë kohë mbaroi me vendosjen e komunizmit në Shqipëri që e bëri të pamundur që mes dy vendeve të kishte liri lëvizjeje. Por pas vitit 1990, rrugët u hapën. Një valë e re shqiptarësh u vendosën në SHBA.
Ron Nasson ishte shumë entuziast nga kjo prurje e re që rigjallëroi jetën shqiptare në Boston e më tej. Emigrantëve të rinj u dha meritën që kishte rizbuluar edhe gjuhën shqipe dhe një lidhje të re me atdheun.
“Jam shumë krenar për ta, sepse janë integruar mirë në Amerikë dhe një nga prioritrete e tyre është të shkollojnë mirë fëmijët e tyre. Kjo është një karakteristikë shumë e mirë e tyre. Ata po integrohen në jetën amerikane dhe gjëja më e bukur është se kanë ruajtur traditat dhe zakonet e tyre shqiptare”, është shprehur ai për gazetën “Illyria”.
Mbajti rregullisht marrëdhënie shumë të mira me gazetën tonë. I gatshëm kurdo me shpjegime, informacione, e lavdërime. Vetëm pak ditë më parë më shkruante me entuziazëm se kishte zbuluar në faqet tona lajmin për botimin e librit të ri kushtuar Fan Nolit nga Ilir Ikonomi.
Shefqet Kërcelli që kishte botuar në Facebook njoftimin për vdekjen e tij, kujton se si gjithmonë e pyeste kur udhëtonte në Korçë nëse kishte shkuar për të parë Memorialin e Veteranëve. “Ja çoja foton e memorialit bashke me buqeten me lule, gezohej pa mase”, shkruan ai.
Bujar nga natyra dhe i qeshur ishte një kënaqësi të ishe në shoqërinë e tij.
Do t’u mungojë familjarëve që e deshën dhe i dëshi aq shumë. Do t’u mungojë shokëve të armëve, miqve, mbarë komunitetit dhe kombit shqiptar.
Funerali për të po bëhet sot, në Katedralen Ortodokse Shqiptare të Shën Gjergjit, në Boston, Varrimi më pas në Forest Hills Cemetery.
Në vend të luleve familja ka kërkuar që t’i dhurohet diçka Katedrales Shqiptare.
I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!
Semper Fidelis!