Prishtinë, 26 janar 2024 – Zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi tha të premten se Banka Qendrore është autoriteti i vetëm që zbaton politikat monetare në vend dhe çdo trysni ndaj vendimeve të kësaj banke paraqet ndërhyrje në pavarësinë e këtij institucioni.
“Do të thotë në qoftë se ndërmjetësuesi del e thotë nuk ka koordinim, rregullatori nuk e ka institucion superior zotin Lajçak, rrjedhimisht Banka Qendrore as në hierarki nuk duhet të koordinohet me persona jashtë tyre, sepse kjo do të ishte manifestim i varësisë së tyre. Banka Qendrore e ka shumë të qartë misionin, zbatimin e politikës monetare”, tha zoti Bislimi.
Ai i bëri këto komente gjatë një raportimi në Komisionin për Integrime Evropiane të parlamentit të Kosovës, duke komentuar debatet që nxiti rregullorja e Bankës Qendrore që pritet të hyjë në fuqi me një shkurt, sipas së cilës euroja do të jetë monedha e vetme për kryerjen e pagesave me para të gatshme në vend. Rregullorja ka nxitur shqetësimin e Beogradit, përfaqësuesve të komunitetit serb në Kosovë dhe diplomatëve perëndimorë.
Qytetarët serbë që jetojnë në Kosovë i marrin pagat dhe pensionet nga Serbia në dinarë serbë i cili përdoret për pagesa në mjediset me shumicë serbe, posaçërisht në veri të vendit.
Bashkimi Evropian u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që ta trajtojnë këtë çështje në kuadër të dialogut. Shtetet e Bashkuara të Amerikës i bënë thirrje Kosovës ta rishikojë vendimin dhe janë shprehur të shqetësuara me vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës që mund të ndikojë negativisht në jetën e komunitetit serb.
“Mendoj se është shumë me rëndësi që edhe ndërmjetësuesi ta kuptoj që Banka Qendrore nuk është negociuar në Bruksel, neni 11 i Kushtetutës nuk është negociu në Bruksel, pavarësia e bankës nuk është negociu rrjedhimisht nuk duhet të preket. Çdo kush që e takon Bankën Qendrore edhe i thotë pse e keni marrë këtë vendim, qysh doni me zbatu, është duke ndërhy në pavarësinë e këtij institucioni. Mendoj se të gjithë ne bashkërisht duhet ta mbrojmë pavarësinë e Bankës Qendrore”, tha zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka thënë se vendimi është një përpjekje për të shkatërruar dialogun për normalizimin e marrëdhënieve si dhe për dëbimin e serbëve nga Kosova. Por, autoritetet në Kosovë thanë se me rregulloren e re do të rritet transprenca e dërgimit të parave dhe do të zvogëlohet hapësira e madhe për keqpërdorime nё emër tё mbështetjes.
Njohës të fushës së ekonomisë në Kosovë e vlerësojnë vendimin plotësisht të drejtë, por këmbëngulin që autoritetet e Kosovës të bashkërendohen në tërësi me Bashkimin Evropian për zbatimin e tij, meqë sipas tyre një marrëveshje e drejtpërdrejtë me autoritetet serbe për këtë çështje është vështirë e arritshme.
Kosova dhe Serbia që nga viti 2011 janë përfshirë në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian, në kuadër të të cilit janë nënshkruar një sërë marrëveshjesh – zbatimi i të cilave vazhdon të jetë një proces sfidues.
Zoti Bislimi tha se ka një qasje të pa ekuilibruar të Bashkimit Evropian që po e dëmton Kosovën.
“Dialogu me integrimin evropian është lidhur në Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit. Dialogu është pjesa kryesore në kapitujt e marrëveshjes dhe rrjedhimisht progresi ka qenë i kushtëzuar me këtë. Ajo që ne kemi thënë është që trajtimi i lidhshmërisë mes progresit në dialog dhe integrimit në Bashkimin Evropian duhet të jetë i njëtrajtshëm si rreth Kosovës, ashtu edhe Serbisë”, tha zoti Bislimi.
Të dyja palët po përballen me trysni për zbatimin e marrëveshjes së arritur një vit më parë në Bruksel për normalizimin e marrëdhënieve që mbetët edhe kushti kryesorë për përparimin e Kosovës dhe Serbisë drejt integrimeve evropiane.
(Zëri i Amerikës)