Qëndrim Thaçi, disejnatori i superveturës që do të konkurrojë “Lamborghinin” e “Ferrarin”

Torino (Itali), 26 janar 2024 – Disejnatori shqiptar Qëndrim Thaçi, i cili jeton dhe punon në Itali, e ka prezantuar superveturën e parë shqiptare “Illyrian Pure Sport” në ekspozitën e kompanisë TREDITECH, në Torino.

Thaçi, i cili është themelues i kompanisë “Arrera Automobili”, kishte emigruar në Itali si fëmijë, bashkë me familjen e tij. Si adhurues i pasionuar i veturave, që nga fëmijëria e hershme, ai është certifikuar në shkollën italiane të dizajnit industrial, e njohur si eAD, ndonëse më herët kishte diplomuar dhe e kishte mbaruar masterin në stomatologji.

Thaçi ka qenë i përfshirë në projekte shumë të mëdha, sikurse janë “Ferrari” dhe “Lamborghini”. Tani ai punon për kompaninë TREDITECH, shumë e njohur për prodhimin e makinave të shpejta.

“Unë punoj bashkë me TREDITECH që prodhon makinat më të shpejta në botë”, ka thënë ai, transmeton Telegrafi.

Në vitin 2016, Qëndrim Thaçi e kishte themeluar kompaninë “Arrera”, e cila fillimisht ishte jofitimprurëse, por me kalimin e viteve u bë mjaft fitimprurëse.

Pavarësisht prej sfidave të ndryshme, Thaçi arriti ta realizojë ëndrrën e tij të fëmijërisë dhe të prodhojë një superveturë që pritet të konkurrojë superveturat më të njohura italiane, si “Lamborghini Aventador” dhe “Ferrari 812 Superfast”.

Supervetura që e dizajnoi ai, “Illyrian Sport Pure”, u promovua në Torino. Kjo është ndër pesë superveturat më të shpejta në botë.

“Illyrian Sport Pure” e ka një motor 6.2 litërsh LT2 V8 me fuqi 650 deri 950 kalfuqi. Shpejtësia maksimale e saj vetura pritet të arrijë 375 kilometra në orë.

Çmimi i “Illyrian Sport Pure” në treg do të jetë prej 1.2 milionë euro deri 1.7 milionë euro.

Në një interviste për mediet e vendit, Thaçi ka treguar se ai e ka vazhduar ëndrrën e tij me mbështetjen e familjes, sidomos me inkurajimin e gjyshit të tij.

“Gjyshi ma ka lënë amanet ta çoj këtë punë deri në fund”, ka thënë ai.

Thaçi ka thënë se parim themelor i jetës së tij është puna me nder, siç ka mësuar nga familja e tij.

“Nderin e kam mësuar prej familjes sime shqiptare. Shqiptarët janë shumë të ndershëm. Ne punojmë me nder”, ka thënë ai.

(r.m.)