Osmani shpreh shqetësimet për disa dispozita të draftit të Asociacionit

Prishtinë, 30 janar 2024 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën, e ka pritur në takim të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak.

Presidentja Osmani, si njoftoi kabineti i saj, ka shprehur shqetësimet lidhur me disa dispozita të draftit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilat, siç është shprehur ajo, “mund të jenë sfiduese gjatë zbatimit në praktikë”. Ajo ka bërë të qartë se ky draft do të vlerësohet përfundimisht nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

“Sa i përket draftit të statutit të Asociacionit, Presidentja ritheksoi se institucioni i vetëm që mund ta interpretojë përfundimisht përputhshmërinë e këtij akti me Kushtetutën është Gjykata Kushtetuese e Kosovës, gjersa poashtu i shprehu shqetësimet e saj lidhur me disa dispozita të këtij drafti, të cilat mund të jenë sfiduese gjatë zbatimit në praktikë”, thuhet në komunikatën e zyrës së Presidentes Osmani.

Presidentja Osmani ka ritheksuar përkushtimin e Kosovës që të jetë palë konstruktive në  procesin e dialogut me Serbinë. Ajo ka ritheksuar gjithashtu se “marrëveshja e Brukselit e 27 shkurtit 2023 dhe aneksi i Ohrit i 18 marsit 2023 duhet të zbatohen në plotni”.

Presidentja Osmani ka kërkuar edhe heqjen e masave të vebndosura nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës, duke ritheksuar se ato “janë të padrejta dhe krijojnë mungesë ekuilibri në dialog”.

Ajo ka thënë se Kosova ka nisur procesin e organizimit  të zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore të vendit, duke miratuar edhe udhëzimin administrative në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës, Ajo ka thënë se pritet që zgjedhjet të shpallen pa vonesa e në përputhje me procedurat dhe legjislacionin në fuqi dhe se në këto zgjedhje qytetarët do ta realizojnë të drejtën e tyre për të zgjedhur.

Në njoftimin e zyrës së Presidentes Osmani thuhet se në këtë takim janë përshëndetur të arriturat e fundit sa i përket zbatimit të marrëveshjes për energjinë dhe të marrëveshjes për targa të automjeteve, të cilat janë vlerësuar “si hapa drejt normalizimit të raporteve ndërmjet Kosovës e Serbisë”.

(r.m.)