Londër, 30 janar 2024 – Britania e Madhe është e gatshme për ta njohur formalisht një shtet palestinez, ka lënë të kuptohet të martën sekretari i Jashtëm David Cameron.
Cameron theksoi se palestinezëve duhet t’u jepet një horizont politik për ta nxitur arritjen e paqes në Lindjen e Mesme.
Britania e Madhe e ka përgjegjësi ta paraqesë se si do të dukej një shtet palestinez, sipas tij.
Popullit palestinez duhet t’i shfaqet “përparim i pakthyeshëm” drejt një zgjidhje me dy shtete, shtoi ai.
“Derisa kjo ndodh, ne – bashkë me aleatët – do ta konsiderojmë njohjen e një shteti palestinez, përfshirë edhe në Kombet e Bashkuara”, tha ai i Këshillin Konservator për Lindjen e Mesme.
“Kjo mund të jetë njëra nga gjërat që ndihmojnë ta bëjë këtë proces të pakthyeshëm”, tha i.
Ai i bëri thirrje Izraelit të lejojë më shumë ndihma ndërkombëtare në Rripin e Gazës dhe e cilësoi “qesharake” kthimin mbrapsht të ndihmave jetike britanike dhe ndihmave të tjera në kufi.
Cameron theksoi se 30 vjetët e fundit kanë qenë histori dështimi për Izraelin për shkak se ka dështuar të ofrojë siguri për qytetarët e vet.
Vetëm duke e pranuar këtë dështim, shtoi ai, do të ketë paqe dhe përparim.
Britania ka kohë të gjatë që e mbështet një zgjidhje me dy shtete, ku izraelitët dhe palestinezët mund të jetojnë krah për krah në vende të ndara.
Por, Cameron sugjeroi se Britania mund t’i ofrojë njohje formale dhe diplomatike një shteti palestinez, jo si pjesë e një marrëveshjeje finale për paqe, por më herët, gjatë bisedimeve.
Në të njëjtën kohë, duhet të ketë edhe një autoritetet të ri palestinez me “liderë të mirë dhe teknokratikë” që janë në gjendje ta udhëheqin Gazën, nënvizoi ai.
Në lidhje me përpjekjet për t’i dhënë fund luftës së Izraelit në Gazë, Cameron tha se ndërprerja e luftimeve është e nevojshme tani dhe se ka “shenja shpresëdhënëse” për bisedimet që po zhvillohen.
“Tani po shohim hapjen e një rruge ku ne mund të shënojmë përparim vërtet, jo vetëm për t’i dhënë fund konfliktit, por përparim në gjetjen e një zgjidhjeje politike, e cila mund të nënkuptojë paqe për vite, e jo për muaj”, tha ai.
Lufta e Izraelit në Rripin e Gazës e ka shkatërruar shumicën e territorit të vogël dhe i ka vrarë mbi 26.000 palestinezë, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë.
Kjo luftë u nxit nga një valë sulmesh të luftëtarëve të Hamasit në Izrael më 7 tetor, ku u vranë rreth 1.300 njerëz dhe u rrëmbyen mbi 250 të tjerë, sipas autoriteteve izraelite.
(REL)