Ekipi mbrojtës i Thaçit kërkon të tërhiqet nga rasti, për shkak të mospagesës

Hagë / Prishtinë, 30 janar 2024 – Ekipi mbrojtës i ish-presidentit, Hashim Thaçi, përfshirë avokatin kryesor Gregory Kehoe, ka kërkuar tërheqjen nga përfaqësimi i tij në rastin për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit para Dhomave të Specializuara në Hagë, për shkak të mospërmbushjes së obligimeve financiare.

Kërkesa e parashtruar më 19 janar është publikuar të martën nga Dhomat e Specializuara. Në këtë parashtresë është bërë e ditur se avokati Kehoe do ta ushtrojë detyrën për një periudhë jo më të gjatë se 45 ditë, derisa të bëhet tranzicioni i rastit tek avokati i ri.

“Z. Thaçi ka dështuar që të përmbushë obligimin ndaj Gregory Kehoe, Joe Reeder. Bashkëpunëtorëve ligjorë Greenberg, ekipi mbështetës Greenberg dhe z. Thaçi u është dhënë paralajmërim i arsyeshëm që Greogory Kehoe, Joe Reeder, bashkëpunëtorët ligjorë Greenberg dhe ekipi mbështetës Greenberg do të kërkojnë ndërprerjen nëse nuk përmbushet obligimi”, është bërë e ditur në kërkesën e avokatëve.

Charles Smith, kryetari i trupit gjykues, ka paralajmëruar takime të ndara me Thaçin dhe me avokatët që e kanë kërkuar tërheqjen, pas përfundimit të seancës gjyqësore të së mërkurës.

“Jemi shqetësuar për këto parashtrimet e fundit që kanë lidhje me përfaqësimin e zotëri Thaçit. Mendojmë që do të ishte më mirë duke marrë parasysh nevojën që duhet të vazhdojmë të kemi një takim ‘ex parte’ me ekipin e Thaçit dhe zotëri Thaçin patjetër. Çka nënkupton? Do të thotë që do të jemi vetëm ne këtu të diskutojmë këtë çështje… Po mendojmë që nesër në orën 4, ose kur të mbarojmë seancën të mbajmë një takim”, ka thënë Smith.

Ministria e Drejtësisë, nëpërmjet një njoftimi, ka bërë të ditur se që nga viti 2020, mbrojtja juridike e ish-presidentit Thaçi është paguar me mbi tre milionë e gjysmë euro nga buxheti i këtij dikasteri.

“Në përputhje me Udhëzimin dhe Marrëveshjen e tillë (legjislacionin në fuqi), Ministria e Drejtësisë ka kryer të gjitha obligimet lidhur me pagesën apo kompensimin e mbrojtjes së z. Hashim Thaçi. Për më shumë, vetëm për vitin 2023, Ministria e Drejtësisë ka realizuar pagesa për mbrojtësit e z. Hashim Thaçi në shumën prej 1,371.800.00 euro. Pagesat për mbrojtjen e z. Hashim Thaçi janë realizuar për vitet 2020, 2021, 2022 dhe 2023. Për vitin 2020 është realizuar pagesë prej 83,107.41 eurosh, për vitin 2021 është realizuar pagesë prej 1,114,901.00 eurosh, për vitin 2022 pagesa është realizuar në shumën prej 996,600.00 eurosh, dhe për vitin 2023 – është realizuar pagesë në shumën prej 1,371,800.00 eurosh. Për të gjitha vitet, shuma e pagesës për mbrojtjen e z. Hashim Thaçi, është 3,566,401.41 euro”, është theksuar në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.

Në këtë ministri kanë thënë se i kanë kryer me kohë të gjitha pagesat për avokatin Luka Misetiq, me të cilin ka marrëveshje, teksa për mbrojtësit e tjerë kanë thënë se Ministria nuk mbart përgjegjësi.

“Ministria e Drejtësisë realizon pagesa vetëm me avokatët me të cilët ka marrëveshje, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Aktualisht, Ministria e Drejtësisë ka marrëveshje me avokatin mbrojtës të Hashim Thaçit, Luka Misetiq, të cilit në përputhje me marrëveshjen i realizon të gjitha pagesat me kohë. Ndërsa për avokatët e tjerë potencialë, qoftë edhe privatë, të cilët angazhohen nga z. Thaçi, Ministria e Drejtësisë nuk ka marrëveshje dhe nuk mban përgjegjësi për realizmin e pagesave”.

Kuvendi i Kosovës ka miratuar më 2015 Ligjin që e mundësoi themelimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë. Bashkë me të, deputetët patën miratuar edhe një ligj, sipas të cilit çdo i akuzuar potencial nga Dhomat e Specializuara ka të drejtën për ndihmë financiare dhe për mbulim të shpenzimeve të mbrojtjes.

Por me Udhëzimin Administrativ të datës 24 korrik 2020, të nënshkruar nga ministri i atëhershëm i Drejtësisë, Selim Selimi, është përcaktuar që mbulimi financiar i avokatëve të bëhet në bazë të tarifave të përcaktuara nga Oda e Avokatëve e Kosovës (OAK).

Së fundmi, Ministria e Drejtësisë ka marrë iniciativën për plotësim-ndryshimin e Udhëzimit Administrativ, i cili i rregullon shumën dhe format e pagesave të mbrojtjes së të akuzuarve në Dhomat e Specializuara në Hagë. Ministria e Drejtësisë e ka nxjerrë në konsultim publik këtë projektudhëzim.

Drafti i ri parasheh që për avokatët të cilët i mbrojnë të akuzuarit për veprat penale të pengimit të administrimit të drejtësisë të ketë kategorizim të veçantë.

(Koha.net)