Prishtinë, 30 janar 2024 – Ministria e Drejtësisë ka bërë të ditur se për avokatët e 8 ish-luftëtarëve të UÇK-së që po përballen me drejtësinë në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë deri më tani janë shpenzuar afër 23 milionë euro.
Në një përgjigje për Kallxo.com, kjo ministri ka treguar se për tetë të akuzuarit nga kjo gjykatë janë paguar saktësiusht 22,945,362.01 euro.
Sipas kësaj ministtrie, shuma më e madhe është shpenzuar për mbrojtjen e Jakup Krasniqit – 3,697,250.00 euro, e pastaj për avokatët e Rexhep Selimit – 3,629,700.00 euro.
Për mbrojtjen e Hashim Thaçit janë shpenzuar 3,483,301.02 euro, kurse për mbrojtjen e Kadri Veselit janë shpenzuar 3,359,724.91 euro.
Kjo ministri ka bërë të ditur gjithashtu se për avokatët mbrojtës të Hysni Gucatit ka paguar 2,367,759.00 euro, për ekipin mbrojtës të Salih Mustafës ka shpenzuar 2,272,672.14, për mbrojtjen e Nasim Haradinajt ka paguar 2,219,963.94 euro dhe për ekipin mbrojtës të Pjetër Shalës ka paguar 1,915,000.00 euro.
Ministria ka theksuar se kjo shumë është shpenzuar për pagesat e avokatëve me të cilët ajo ka lidhur marrëveshje për përfaqësim.
Ministria e Drejtësisë i ka publikuar këto informacione pas raportimeve se ekipi i mbrojtësve të Hashim Thaçit ka paralajmëruar tërheqjen nga rasti për shkak se nuk i është paguar shuma e parave sipas marrëveshjes.
“Z. Thaçi ka dështuar që të përmbushë obligimin ndaj Gregory Kehoe, Joe Reeder. Bashkëpunëtorëve ligjorë Greenberg, ekipi mbështetës Greenberg dhe z. Thaçi u është dhënë paralajmërim i arsyeshëm që Greogory Kehoe, Joe Reeder, bashkëpunëtorët ligjorë Greenberg dhe ekipi mbështetës Greenberg do të kërkojnë ndërprerjen nëse nuk përmbushet obligimi”, thuhej në kërkesën e avokatëve.
Më herët Ministria e Drejtësisë kanë thënë se i ka kryer me kohë të gjitha pagesat për avokatin Luka Misetiq, me të cilin ajo ka marrëveshje, por nuk ka përgjegjësi për pagesën e mbrojtësve të tjerë me të cilët të akuzuartit kanë bërë marrëveshje private.
“Ministria e Drejtësisë realizon pagesa vetëm me avokatët me të cilët ka marrëveshje, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Aktualisht, Ministria e Drejtësisë ka marrëveshje me avokatin mbrojtës të Hashim Thaçit, Luka Misetiq, të cilit në përputhje me marrëveshjen i realizon të gjitha pagesat me kohë. Ndërsa për avokatët e tjerë potencialë, qoftë edhe privatë, të cilët angazhohen nga z. Thaçi, Ministria e Drejtësisë nuk ka marrëveshje dhe nuk mban përgjegjësi për realizmin e pagesave”, ka thënë ministria.
(r.m.)