Avokatja: Naim Murseli e ka mohuar përfshirjen e tij në vrasjen e bashkëshortes

Prishtinë, 1 shkurt 2024 – Naim Murseli, i cili dyshohet se e ka porositur vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Ademaj – Murseli, të enjten e ka përfunduar dëshminë në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

Pas seancës, avokatja e tij, Teuta Zhinipotoku, ka thënë për Telegrafin se Murseli e ka mohuar në tërësi versionin e dhënë gjatë intervistimit në polici.

Ajo ka thënë se Murseli i ka mohuar në tërësi raportimet për marrëdhënie të tendosura me bashkëshorten lidhur besnikërinë në qift.

“Dëshmia e të pandehurit Naim Murseli ka mbaruar, me sot. Është kryer deklarimi i tij pranë Prokurorisë Themelore në Prishtinë, i cili në tërësi e ka mohuar versionin e dhënë gjatë intervisitimit në polici. Deklarata e tij ka qënë e dhënë në detaje në shpjegimin e ngjarjes dhe e ka mohuar implikimin e tij në këtë rast. Informatat të cilat janë publikuar lidhje me raportet e tendosura në mes të bashkëshortëve lidhur me besnikërinë e tyre i pandehuri i ka mohuar në tërësi. Prokuroria vazhdon me grumbullimin e provave të mëtutjeshme”, ka thënë avokatja Zhinipotoku për Telegrafin.

Naim Murseli dyshohet se me datë 29 nëntor 2023 e ka porositur vrasjen e gruas së tij Liridona Ademaj.

Për vrasjen e saj janë arrestuar edhe dy persona të tjerë, Granit Plava, i cili dyshohet se e ka kryer vrasjen, dhe Kushtrim Kokalla, i cili dyshohet se ka qenë i përfshirë në planifikimin e vrasjes.

Në deklaratën e tij në polici, Naim Murseli kishte thënë se kishin pasur probleme në jetën bashkëshortore të cilat e kishin pamundësuar vazhdimin e jetës së përbashkët, por ai nuk kisdhte qenë në dijeni se Plava do ta kryente vrasjen atë ditë.

Deklaratat e dy të dyshuarve të tjerë, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, kishin qenë të ndryshme.

Plava kishte thënë se kishte kohë që Murseli i bënte presion për t’ia vrarë gruan dhe se ky ishte detyruar ta bënte këtë në shkëmbim të pagesës sepse, siç kishte thënë, kishte probleme financiare dhe shëndetësore. Ai kishte deklaruar se Naim Murseli i kishte premtuar se do ta nxirrte nga burgu në rast të zbulimit të autorësisë.

Ndërkaq, Kokalla, i cili është djali i hallës së Naim Murselit, ka mohuar se ka qenë i përfshirë në këtë rast, pork a pranuar se Murseli dhe Plava janӕ njohur përmes tij.

Në media janë publikuar shkkrime të shumnta lidhur me vrasjen e Liridona Ademajt dhe lidhur me motivet e vrasjes së saj. Në shumicën e raportimeve është spekuluar për motivacionin e këtij akti makabër, duke u thirrur në “burime” brenda policisë dhe prokurorisë, ndonëse organet e hetuesisë dhe prokurorisë vazhdojnë të punojnë në konfidencë të plotë.

(r.m.)