Analistët: Fushata zgjedhore në Shqipëri e shpërfaq krizën e medias

Tiranë, 18 prill 2021 – Fushatat zgjedhore në Shqipëri i shtyjnë mediat vendase në një krizë të pazakontë profesionale.

Ato detyrohen të transmetojnë lajme të gatshme, që prodhohen nga partitë dhe institucionet shtetërore.

Përfaqësues të komunitetit të medias pohojnë se fushata e bën më të dukshëm këtë abuzim, që sa vjen e thellohet.

Por ka disa vite që me këto produkte propagandistike, partitë dhe institucionet shtetërore shkelin mbi lirinë e shtypit dhe të drejtat e gazetarëve.

Në një studim të përgatitur nga Forumi i Mendimit të Lirë thuhet se gazetarët në mbi 90% të rasteve nuk lejohen të marrin pjesë në veprimtaritë politike.

Në rreth 40% të rasteve ata nuk informohen fare për kohën dhe vendin e zhvillimit të veprimtarive të kryeministrit, ministrave, apo zyrtarëve të tjerë të lartë shtetërore dhe partiakë.

Pjesa tjetër njoftohen vetëm pak minuta përpara se të nisë tubimi i qeverisë ose i partive, i cili shfaqet drejtpërdrejt në media sociale dhe televizione.

Materiali filmik u shkon mediave i gatshëm nga organizatorët, pasi ngjarja ka përfunduar.

Bashkautori i studimit, Mentor Kikia, thotë se materialet e gatshme mediatike e kanë ngushtuar shumë hapësirën e lirisë së medias shqiptare dhe kanë cënuar rëndë profesionalizmin e gazetarëve, duke shkelur parimet themelore të paanshmërisë, verifikimit dhe saktësisë së lajmit.

“Praktika e kasetave me lajme të gatshme nisi 15 vite më parë si një ndihmë që u jepej mediave për të mbuluar shumë kandidatë dhe ngjarje shumë të largëta në terren, por më vonë kjo metodë u zgjerua aq shumë saqë tani ka përjashtuar fare gazetarët nga ngjarjet edhe kur ato janë në mes të kryeqytetit” – tha zoti Kikia.

Vit pas viti kjo metodë pune u bë një mënyrë themelore e kontrollit plotësisht të informacionit që vjen nga partitë dhe institucionet e larta qeverisëse, të cilat prodhojnë vet çdo material mediatik për veten.

Kryeministria, ministritë, bashkitë, institucione vartëse të tyre dhe partitë politike, i prodhojnë vetë filmimet, intervistat dhe tekstin e informacionit dhe ua dërgojnë ato mediave.

Ato që duhet të jenë zyrat e marrëdhënieve me publikun, tashmë mund të konsiderohen si redaksi të mirëfillta lajmesh, thuhet në studim.

Drejtuesi i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, Aleksandër Çipa, thotë se partitë politike kanë përjashtuar nga fushata zgjedhore aktuale raportimin individual, të pavarur dhe të thelluar të gazetarit, duke e zëvendësuar atë me materiale të gatshme propagandistike.

Partitë po garojnë mes tyre edhe me propagandën dhe nuk po lejojnë gazetarët të ndjekin ngjarjet në terren apo të ballafaqojnë kandidatët dhe programet nga këndvështrimi qytetar profesional, shtoi ai.

“Unioni i Gazetarëve është i shqetësuar, sepse nga ana tjetër gazetarët paditen nëpër gjykata dhe vendosen nën presion për shkak të punës së tyre. Edhe pse një vit pandemie, në vitin 2020 Unioni listoi një numër të konsiderueshëm procesesh gjyqësore ndaj shtypit. Nëpër gjykata po përshpejtohen aktualisht proceset gjyqësore ndaj gazetarëve, që i vendosin ata nën vështirësi dhe presion të madh” – tha zoti Çipa.

Unioni i Gazetarëve është po ashtu i shqetësuar për tejzgjatjen e fushatës zgjedhore në shumë muaj, edhe pse me ligj duhet të zgjatë vetëm një muaj.

Probleme kritike janë, sipas Unionit, edhe ndarja e thellë e mediave pro dhe kundër partive kryesore politike në shërbim të tyre, si dhe orientimi që pronarët u japin redaktorëve për ta realizuar këtë.

Mediat detytohen të bëjnë lajme me një burim, madje pa shkuar as në vendin e ngjarjes, pa verifikuar deklaratat dhe pa investiguar mbi to, përmes pyetjeve që mund t’u bëhen zyrtarëve.

“Televizionet transmetojnë thuajse të njëjtat lajme nga aktivitetet e qeverisë dhe partive politike, duke dhënë të njëjtin informacion, të njëjtin tekst dhe të njëjtat prononcime të zyrtarëve me të njëjtat video. Gjithçka është homemade, selfmade, fastfood, por kjo e larguar gazetarin nga roli watchdog i qeverisë. Gazetari shqiptar tani është pasiv dhe krejt në pritje të teksteve që vijnë gati nga qeveria dhe partitë, dhe ka humbur misionin e tij aktive dhe reaktiv si përfaqësues i qytetarëve” – tha Alfred Lela, drejtues i portalit Politiko.al.

Shërbimi në media i lajmeve të gatshme nga institucionet dhe partitë është bërë një mënyrë mbijetese për shtypin.

Qytetarët përmbyten me materiale filmike, që nuk përbëjnë lajm dhe nga fjalime të gjata, ku lajmi duhet qëmtuar nga gazetari.

Sipas studimit, gazetarët thonë se lajmi i tyre për një veprimtari qeveritare ose partiake do të ishte shumë ndryshe, nëse do ta ndiqnin vet si të pranishëm dhe nëse nuk sillet i gatshëm nga zyrat e shtypit.

Këto nuk sjellin lajme, mendojnë ata, por materiale promocionale për zyrtarët apo institucionet, duke dëmtuar profesionalizmin e tyre dhe besueshmërinë e qytetarëve tek media.

Praktika e “kasetave të gatshme” kritikohet vazhdimisht nga qarqet e gazetarëve vendas dhe institucionet ndërkombëtare, megjithatë kjo praktikë sa vjen edhe përsoset edhe shtrihet më tej.

(Ilirian Agolli, Zëri i Amerikës)