Ndahet nga jeta mbretëresha e valles shqiptare, Liljana Cingu

Tiranë, 5 shkurt 2024 – Është ndarë nga jeta, në moshën 74 vjeçare, mbretëresha e valles shqiptare, Liljana Cingu.

Drejtoresha e Teatrit Kombӕtar të Operas dhe Baletit, Abigeila Voshtina, në një dedikim në Facebook, shkruan:

“E trishtë ndarja nga jeta e “Mbretëreshës së valles shqiptare”, Lili Cingu. Për vite me radhë, ajo ishte imazhi i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, duke u dhënë jetë më shumë se 200 valleve të kërcyera prej saj. Lili Cingu i përket asaj plejade artistësh, që e ngjitën vallen shqipe në skenat më të mëdha të botës, duke treguar një Shqipëri tjetër, me kulturë dhe folklor të pasur.

Sallës së provave të Ansamblit do t’i mungojë hapi i saj i lehtë, dhe fjala e saj e ëmbël. Por kjo ikje është vetëm fizike, sepse emri i saj do të jetojë bashkë me Ansamblin, e kudo që të kërcehet vallja shqipe, do të jetë edhe kujtimi i Lili Cingut me publikun që aq shumë e deshi dhe e vlerësoi“, shkruan Voshtina.

Liljana Cingu patri një karrierë të gjatë si valltare kryesore e Teatrit të Operas dhe Baletit, veçanërisht në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore, përkrah emrave të mëdhenj të skenës. Ajo ka kërcyer valle nga të gjitha krahinat, duke i mbajtur ato gjatë për shumë dekada dhe duke i gdhendur në fondin e artë të artit shqiptar.

Gjatë karrierës së saj ka marrë vlerësimet më të larta të personaliteteve të shquaea të artit e kulturës, në vend dhe në botë. Ka fituar dhjetëra çmime e mirënjohje në festivale e manifestime jashtë vendit, si në Francë, Itali, Turqi, etj.

Liljana Cingu ishte nderuar me dekoratat më të larta të shtetit: “Çmimin e Republikës”, Urdhrin “Naim Frashëri”, “Artiste e Merituar”, “Mjeshtër i Madh” dhe “Nderi i Kombit”.

(r.m.)