PS-ja e tërheq pa shpjegime projektligjin për Lojërat e Fatit

Tiranë, 8 shkurt 2024 – Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste nբ Kuvendin e Shqipërisë, Bledi Çuçi, e tërhoqi të enjten nga rendi i ditës së seancës plenare projektligjin për “Lojërat e Fatit”, në mënyrë të pashpjegueshme.

Ligji i shqyrtuar prej më shumë se 4 muajsh në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave u miratua të martën pas ndryshimeve të fundit të arritura me konsensus me ministrinë e Financave dhe u fut në rend të ditës në seancën plenare të radhës.

Kryetarja e parlamentit, Lindita Nikolla e hodhi në votim kërkesën e Çuçit dhe me votat e 74 deputetëve socialistë ky projektligj u tërhoq nga rendi i ditës, pa u caktuar ndonjë datë tjetër për votimin e tij.

Deri në publikimin e këtij shkrimi, Çuçi nuk iu përgjigj pyetjes së BIRN mbi arsyet e tërheqjes së projektligjit.

Qeveria “Rama 3” vendosi të rikthejë bastet sportive 5 vite pasi i mbylli ato me ligj dhe ndërmori një aksion me emrin “Fundi i marrëzisë”, ndërkohë që aktiviteti lulëzoi në mënyrë të paligjshme gjatë gjithë këtyre viteve.

Qeveria pranoi se kishte dështuar të kontrollonte aktivitetin e paligjshëm duke sjellë një ligj që synonte të rikthente në shinat ligjore këtë aktivitet.

Pavarësisht kundërshtimit të tij nga opozita, aktorëve të tjerë të sektorit të lojërave të fatit dhe rezervave të deputetëve socialistë, projektligji u miratua në komisionin përgjegjës duke ndryshuar draftin fillestar të ardhur nga qeveria.

Drafti final parashikon vendosjen e kritereve kushtëzuese për të marrë pjesë në garë, duke caktuar kuotën limit 30 për qind të aksioneve për aksionerët e huaj në kompanitë konkuruese, si dhe mekanizmin e ankandit për të përzgjedhur fituesit.

Deputetët vendosën që të sanksionojnë përjashtimin e organizatorëve të “Basteve sportive online” nga sponsorizimi i skuadrave sportive, si dhe hoqën nga anëtarësia e Këshillit të Mbështetjes së Projekteve, Presidentin e Federatës Kombëtare të Futbollit dhe Presidentin e Komitetit Olimpik. Këshilli i Mbështetjes së Projekteve menaxhon të ardhurat që vijnë nga bastet.

Një pikë e re u shtua në lidhje me kontrollin e shtetit mbi veprimtarinë e kompanisë koncensionare që ka ndërtuar dhe mirëmban sistemin qëndror të monitorimit online. Ky kontroll do të bëhet nga Komisioni i Licencave nëpërmjet auditimit.

Ndryshime u bënë dhe në nenet për normën e fitimit të lojtarëve të llotarive kombëtare që nga 80 për qind u ul në “jo më pak se 50 për qind”.

(Reporter.al)