QUINT-i e mbështet grupin e serbëve të kritikuar nga zëvendëskryeministri Bislimi

Prishtinë, 16 shkurt 2024 – Ambasadorët e shteteve të QUINT-it në Kosovë u distancuan nga kritikat e zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, lidhur me takimin e të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, me një grup përfaqësuesish të shoqërisë civile serbe në Kosovë.

Ambasadorët e QUINT-it thanë se serbët me të cilët është takuar Lajçaku janë “partnerë të besueshëm”.

“Ambasadorët e QUINT-it [SHBA-ja, Britania e Madhe, Gjermania, Franca, Italia] dhe BE-së vlerësojnë mundësinë për t’u takuar sot me zëvendësin e Avokatit të Popullit dhe përfaqësuesit e komunitetit serb të Kosovës – të cilët janë partnerë të besueshëm në përpjekjet tona të përbashkëta për përmirësimin e të drejtave të njeriut dhe marrëdhënieve ndëretnike për Kosovën”, ka shkruar ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, në rrjetin social X.

Grupi i serbëve u takuan me Lajçakun më 13 shkurt, në Bruksel. Në takim morën pjesë: zëvendësi i Avokatit të Popullit në Kosovë, Sërgjan Sentiq, Jovana Radosavljeviq dhe Miodrag Miliçeviq nga organizatat joqeveritare Iniciativa e Re Sociale dhe Aktiv, drejtori i RTV-së Kim, Isak Vorguçiq dhe Dragisha Mijaciqin nga grupi punues i Beogradit i Konventës Kombëtare për Bashkimin Evropian,

“Gjithmonë ndihmon kur dëgjohen zëra nga terreni”, shkroi Lajçak në një postim në rrjetin social X pas atij takimi.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se në takimin me Lajçakun ishte “një delegacion i përbërë kryesisht nga organizata joqeveritare serbe nga Kosova, të cilat në mënyrë aktive dhe hapur avokojnë kundër integrimit të qytetarëve serbë në sektorin ekonomik dhe në jetën sociale të Kosovës”.

Më 8 shkurt, sektori civil serb ka kërkuar që Qeveria e Kosovës të ndalojë veprimet që e pengojnë punën e institucioneve serbe në Kosovë dhe të gjendet një zgjidhje për këto struktura, përmes formimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

(r.m.)