Maqedonia e Veriut kërkon vaksinat ruse “Sputnik V” që do të prodhohen në Serbi

Shkup, 20 prill 2021 – Ministria e Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut do të bëjë një marrëveshje me autoritetet e Serbisë për furnizim me vaksinën ruse kundër koronavirusit “Sputnik V” që do të prodhohet në Serbi.

Ministri maqedonas i Shëndetësisë, Venko Filipçe, ka qëndruar të martën në Beograd dhe e ka vizituar Institutin “Torlak” ku do të prodhohet vaksina ruse “Sputnik V”. Ai ka rënë dakord që ky institut ”të jetë partner strategjik për furnizmin me vaksina të Maqedonisë së Veriut, gjatë periudhës që vjen”.

Filipçe është takuar në Beograd edhe me ministrin e Shëndetësisë së Serbisë, Zllatibor Llonçar. Pas një takimit, Llonçar ka deklaruar se deri tani në Serbi janë vaksinuar 15 mijë shtetas maqedonas.  Ai ka thënë se Serbia është e gatshme që dozat e dyta për këta persona t’ua dorëzojë autoriteteve maqedonase, në mënyrë që rivaksinimi të bëhet në vendbanimet e tyre.

Shtetasit e Maqedonisë së  Veriut janë vamksinuar në Serbi kryesisht me vaksinen “AstraZaneca”, e cila në Maqedoninë e Veriut nuk u jepet personave nën 60 vjeç.

Siqodoftë, autoritetet maqedonase thonë se tashmë i kanë bërë porositë për sasitë e nevojshme të vaksinave nga kompani të tjera dhe se kontigjentet e vaksinave të porositura pritet të arrijnë deri në fund të muajit prill dhe gjatë muajit maj.

Sipas Institutit të Shëndetëit Publik, situata pandemike në Maqedoninë e Veriut ka nisur të përmirësohet javën e fundit, por shkalla e vdekshmërisë  nga COVID-19 mbetet ende e lartë. Deri më tani në këtë vend e kanë humbur jetën 4.500 persona që ishin të infektuar nga ky virus.

(r.m.)