Rasti i vrasjes së 18 vjeçares Marigona Osmani kthehet në rigjykim

Prishtinë, 23 shkurt 2024 – Gjykata e Apelit e ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Ferizajt dhe e ka kthyer në rigjykim rastin e vrasjes së 18-vjeçares, Marigona Osmani, nga Ferizaj.

Në gusht të vitit 2023, Dardan Krivaqa ishte dënuar me burgim të përjeshtëm për vrasjen e Marigona Osmanit, ndërsa Arbër Sejdiu ishte dënuar me 15 vjet burgim, për ndihmë në kryerjen e veprës penale “vrasje e rëndë”.

Por, Gjykata e Apelit i  ka miratuar ankesat e avokatëve mbrojtës për aktgjykimin, me arsyetim se gjatë gjykimit ka pasur shkelje procedurale.

“Kolegji i shkallës së dytë ka ardhur në përfundim se në këtë çështje penale, aktgjykimi përmban shkelje esenciale nga dispozitat e procedurës penale, pasi që mungojnë arsyet për faktet vendimtare, të cilat janë thelbësore për vërtetimin e përgjegjësisë penale të të akuzuarve, për çka gjykata e shkallë së dytë ka dhënë udhëzimet konkrete, të cilat do të duhet të eliminohen në fazën e rigjykimit, nga gjykata e shkallës se parë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Apelit.

Lidhur me dënimin e Sejdiut, Apeli tha se ka vlerësuar se nuk ka pasur të dhëna të qarta dhe konkrete “nëse veprimet e të akuzuari janë në pajtueshmëri me tiparet e veprës penale për të cilën i njëjti është shpallur fajtor”.

Apeli ka vendosur që të akuzuarit, Krivaqa e Sejdiu, të vazhdojnë të mbahen në paraburgim.

Marigona Osmani, 18-vjeçare, është vrarë më 22 gusht të vitit 2021, në banesën e të akuzuarit kryesor, Dardan Krivaqa, në Ferizajt. Pas vrasjes, Krivaqa e Sejdiu e kishin dërguar trupin e pajetë të të ndjerës në spitalin e qytetit, ku e kishin lënë dhe ishin larguar në drejtim të panjohur.

Në aktakuzë thuhet se Krivaqa, më 21 gusht 2021, rreth orës 10:14, në banesën e tij, pa pëlqimin e tani të ndjerës Marigona Osmani, e kishte detyruar të kryente marrëdhënie seksuale dhe e kishte abuzuar dhe keqtrajtuar fizikisht në forma të ndryshme.

Sipas aktakuzës, një ditë më pas, më 22 gusht 2021, Krivaqa dhe Sejdiu e kanë privuar nga jeta Marigona Osmanin, në përpjekje për të fshehur veprën penale të dhunimit.

Krivaqa dhe Sejdiu akuzoheshin për veprat penale: dhunim, ndihmë në kryerjen e dhunimit dhe vrasje e rëndë në bashkëkryerje. Por, ata u liruan nga akuza e dhunimit dhe ndihmës në kryerjen e dhunimit përkatësisht, pasi, sipas Gjykatës, nuk ka pasur prova të mjaftueshme për të vërtetuar një gjë të tillë.

Ata të dy akuzoheshin edhe për tentim të fshehjes së gjurmëve të krimit, duke u munduar t’i fshehin pamjet e kamerave të sigurisë. 

Dardan Krivaqa e Arbër Sejdiu

Dardan Krivaqa e Arbër Sejdiu

Rasti i vrasjes së Marigona Osmanit ishte një ndër rastet më të rënda të vrasjes së vajzave dhe grfave në Kosovë. Krerët e shtetit u bënë thirrje organeve të drejtësisë që dy të akuzuarit për këtë vrasje të marrin dënimin e merituar, ndërsa organizatat për mbrojtjen e të drejtave të grave kërkuaan dënimin më të rëndë të paraparë me ligjin në fuqi. Njëkohësisht, ato kërkuan ashpërsimin e dënimeve për veprat penale që kanë të b bëjnë me dhunën ndaj grave dhe vajzave.

(r.m.)