Varhelyi: Plani i BE-së për rritje ekonomike të ekonomive të Ballkanit mund t’i dyfishojë ato

Tiranë, 29 shkurt 2024 – Komisionari për Zgjerim, Oliver Varhelyi, tha se plani i Bashkimit Evropian për rritje ekonomike në Ballkanin Perëndimor është plan ambicioz që mund të mundësojë dyfishimin e gjashtë ekonomive ballkanike.

Në nisje të Samitit rajonal për planin e rritjes, që po mbahet në Tiranë, komisionari evropian tha se plani bëhet funksional vetëm nëse gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor aplikojnë reformat dhe kriteret e kërkuara.

Vlera e ndarë nga BE-ja për këtë plan për periudhën 2024-2027 është 6 miliardë euro.

“Kemi besim të plotë në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor që ju do të mund t’i merrni përfitimet e këtij plani, ky plan i cili ka mundësi që të kontribuojë për të dyfishuar ekonomitë e Ballkanit Perëndimor në dhjetë vjetët e ardhshëm”, tha ai në samitin ku po marrin pjesë liderët rajonalë.

Sipas Varhelyit plani është pjesë e procesit të zgjerimit dhe nënkupton që krahas reformave të bëra nga shtetet aspiruese të rajonit, blloku t’iu ofrojë atyre “të gjitha përfitimet që sjellë anëtarësimi para se shtetet tuaja të bëhen anëtare të BE-së”.

“Jemi në fillimet e ndryshimit shumë rrënjësor, por edhe shumë të shpejtë në Ballkanim Perëndimor”, theksoi ai.

Ndërkaq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet të angazhohen bashkërisht për realiizimin e planit të BE-së për rritje ekonomike të vendeve të rajonit.

“Me planin e rritjes do marrim hapat e nevojshëm për të ecur më pranë njëri-tjetrit dhe BE-së, ose do rrezikojmë të dështojmë për të zënë një vend më pranë BE-së. Ose e bëjmë së bashku, ose dështojmë së bashku, ekonomitë tona nuk mund të lulëzojnë duke penguar lëvizjen e lirë të njëra-tjetrës. Ose bëjmë paqe për të punuar për begatinë tonë, ose mungesa e kësaj begatie do na bëjë të humbasim paqe. Kështu funksionin BE-ja, kështu duhet të funksionojë Ballkani Perëndimor”, tha ai.

Shqipëria, sipas Ramës, po synon që gjatë këtij viti të aplikojë për anëtarësim në zonën e përbashkët për pagesa me euro.

“Ambicia jonë si Shqipëria është që në qershor të jemi gati për aplikimin tonë, nëse ulim vetëm tri orë kohën e pritjes së kamionëve tanë në kufijtë rajonale dhe BE-së, mund të marrim një rritje të përgjithshme prej 25 miliard eurosh”, tha Rama duke kërkuar që “politika ballkanike” të lihet jashtë kësaj sfide të përbashkët dhe shtetet të përqendrohen në suksesin e planit të rritjes.

Në samit, përveç kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili është nikoqir, po marrin pjesë edhe liderët e tjerë rajonalë: presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, dhe presidentja e Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës, Borjana Kristo.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “për shkak të angazhimeve të mëparshme”, nuk do të jetë i pranishëm fizikisht në samitin e 29 shkurtit, tha për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.

“Megjithatë, Kurti do të jetë pjesë e samitit virtualisht përmes një video-adresimi”, tha Kryeziu.

Samitit përmes video-lidhjes do t’i adresohet edhe kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq.

Plani i BE-së për Ballkanin Perëndimor synon rritjen ekonomike të rajonit, përshpejtimin e reformave të duhura, dhe kryerjen e investimeve, që mund të avancojnë procesin e zgjerimit të BE-së me këto vende.

Një samit i ngjashëm për këtë plan u mbajt më 22 janar në Shkup të Maqedonisë së Veriut.

Çka është plani për rritjen ekonomike në Ballkanin Perëndimor?

Plan i ri për rritje ekonomike në vendet e Ballkanin Perëndimor, i miratuar nga Komisioni Evropian, më 8 nëntor të vitit 2023, është i bazuar në katër shtylla.

Shtylla e parë është “forcimi i integrimit ekonomik në tregun unik të BE-së”.

Kjo do të varet nga përshtatja e vendeve të rajonit me rregullat e tregut unik dhe paralelisht hapja e tregut të tyre në sektorët përkatës për vendet fqinje.

Shtylla e dytë e këtij plani është “forcimi i integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal”.

Kjo, sipas përvojës së BE-së do të ndikojë në një rritje potenciale ekonomike prej 10 për qind.

Shtylla e tretë e këtij plani është “përshpejtimi i reformave fundamentale“. Kjo nënkupton dhe sundimin e ligjit që ndihmon edhe në tërheqjen e investimeve direkte të huaja dhe forcon stabilitetin rajonal.

Shtylla e katërt e planit të ri të Komisionit Evropian për rritje ekonomike në Ballkanin Perëndimor është “rritja e asistencës financiare për të ndihmuar reformat“. Këtu përfshihet edhe propozimi për 6 miliardë euro ndihmë.

Pasi vendet e rajonit në raportet tregtare me Bashkimin Evropian përfitojnë edhe nga Marrëveshjet përkatëse të Stabilizim-Asociimit, KE-ja propozon që të shkohet edhe përtej kësaj, duke bërë edhe ndryshime në këto marrëveshje për të mundësuar kushte të barabarta në treg dhe mes vendeve në procesin e zgjerimit dhe vendeve anëtare të BE-së.

Të gjitha këto qëllime janë në përputhje edhe me idetë që po realizohen përmes Procesit të Berlinit, si dhe krijimin e “tregut të përbashkët rajonal”.

(REL)