Rugova mbi raportet e pushtetit me intektualët

Munish HYSENI

(Fjalë e mbajtur në promovimin e librit “Pushteti dhe intelektualët”, përmbledhje e intervistave të Ibrahim Rugovës për letërsinë dhe kulturën, të botuara në harkun kohor 1969-2005)

Libri “Pushteti dhe intelektualët” është i treti me radhë i propjektit që lidhet me botimin e intervistave të Ibrahim Rugovës në shtypin e periodikun shqiptar, si edhe me intervista të realizuara në televizionet e radiot në Kosovë, Maqedoni, Shqipëri, Evropë e SHBA.

Këto tri libra me intervista, dhe jo veç, të Rugovës të botuara te Fondacioni “Ibrahim Rugova”.

“Kështu foli Rugova” (2019)

Këtu janë përfshirë intervistat e botuara në shtypin e Kosovës gjatë një periudhe 15-vjeçare, 1990 – 2005.

Ky lloj bashkëbisedimi, siç është intervista, Ibrahim Rugovës i ka dhënë mundësi të mëdha për të sghprehur mendimet e veprimet e veta, për të elaboruar gjerësisht platformën e pavarësisë së Kosovës dhe çështjen shqiptare, përtej takimeve partiake, ndërpartiake e konferenca për shtyp gjatë viteve ’90 dhe më pas.

Në planin e brendshëm, veprimet e Ibrahim Rugovës janë veprime e komunikime jo vetëm kërkuese, por edhe ndikuese në thyerjen e dogmave, thyerjen e shtresimit të gjatë të idologjisë komuniste, të njëmendësisë në krijimin e lirisë individuale, ndërtimin e demokracisë së brendshme, pluralitetit të mendimeve e programeve që çojnë në drejtim të bashkimit në një lëvizje të madhe paqësore aktive në përballjen me okupimin klasik, me dhunën, krimin e shkatërrimin e qenies shqiptare nga pushteti serb gati njëshekullor.

Ibrahim Rugova, si askush më parë në historinë e shqiptarëve, nisi dhe realizoi përpjekjet e mëdha për krijimin e miqve të çështjes shqiptare, duke u shndërruar gradualisht në një personalitet, politikan e lider të pakontestueshëm që i artikuloi dhe i afirmoi me këmbëngulësi kërkesat e shqiptarëve për liri, pavarësi e sovranitet në nivelet më të larta, nëpër kancelaritë dhe institucionet shtetërore, evropiane e botërore.

“Ibrahim Rugova: Çështja kombëtare” (2020)

Libri “Ibrahim Rugova: Çështja kombëtare”, i dyti me radhë i këtij lloji pas atij “Kështu foli Rugova”, përmban intervista të botuara në shtypin shqip jashtë Kosovës, kryesisht në Shqipëri – si në Tiranë, Shkodër, Lezhë e Durrës – por edhe në Shkup, Bujanoc, Zurich e New York. Në shumicën e këtytre intervistave shtrohet çështja kombëtare dhe çështja e Kosovës. Problemin e çështjes kombëtare, të cilën  e formulon si “politikë globale shqiptare”, ai e shpjegon si çështje praktike dhe jo si diçka abstrakte.

Kjo mënyrë e të menduarit dhe të vepruarit e Ibrahim Rugovës mbështetet në angazhimin e përhershëm për bashkëpunim politik, në planin brendashqiptar dhe në atë ndërkombëtar. “Politike globale shqiptare” e Rugovës përfshinte edhe vullnetin politik të shqiptarëve në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Preshevës, Bujanoc e Medvegjë. Kjo do të thotë se ai kishte vizion të qartë të veprimit politik të shqiptarëve në mbarë hapësirën gjeografike të tyre. Dhe, mund të them se një politikë globale shqiptare përditë është prezente dhe realizohet hap pas hapi, nuk është diçka abstrakte.

Kjo politikë globale shqiptare është e kushtëzuar jo vetëm nga pengesat e shumta të trashëguara të faktorëve të jashtëm sidomos të gjendjes së shqiptarëve me shumë kufij, por edhe të faktorit të brendshëm atij shqiptar të ndasive e përçarjeve të instaluara përgjatë një shekulli nga bajraktarizma, ideologji e sisteme të ndryshme. Që të mos rikthehet e shkuara, Rugova, jo një herë, bën thirrje që partitë politike, grupet dhe shoqatat shqiptare të bëjnë përpjekje që nesër ta tregojnë veten dhe, jo të rrënojnë dikë apo të ngrenë dikë, por ta provojnë veten në çështjen e madhe të përbashkët, në Çështjen Kombëtare. Kjo ndërmarrje kaq e madhe do të realizohet suksessdhëm duke punuar bashkërisht. Prandaj, sot na duhet kompromisi, marrëveshja, falja e gabimneve, etj. Duhet të shihemi, të takohemi, të lëvizim, t’i thyejmë kufijt e t’i kapërcejmë barrierat dhe ta ndërtojmë shoqërinë shqiptare, kudo që të jemi. Të gjithë flasin, dhe shumnë mirë që flasin, për një dide, për çështjen kombëtare, por çështja kombëtare është çështje konkrete, çështje praktike, dhe jo slogan apo parullë romantike. I vetëdijshëm për peshën dhe rëndësinë historike që bart ky vizion për të ardhmen e kombit, Rugova thekson:  “Çështja kombëtare nuk kryhet kurrë! Sa të jemi gjallë duhert të punojmë për të!”.

Ibrahim Rugova “Pushteti dhe intelektualët” (2024)

Në këtë libër janë përfshirë intervistat e Ibrahim Rugovës të botuara në gazeta e revista prej vitit 1969, po kryesisht gjatë viteve ‘70 dhe ‘80 të shekullit të kaluar, e deri te ajo më e fundit, e vitit 2005, në të cilat trajtohen çështje që kanë të bëjnë me zhvillime në fushë të letërsisë e kritikës letrare, me fenomene kulturore dhe me jetën intelektuale në Kosovën e para viteve ’90.

Intervistat e përmbledhura në këtë botim kanë peshë dhe rëndësi të madhe, jo vetëm për kohën kur janë realizuar ato. Në to shihet zhvillimi në kontinuitet i mendimit të Rugovës për çështje nga më të ndryshmet. Si të tilla, ato paqyrojnë nivelin e studimeve dhe të dijeve të Ibrahim Rugova, sepse në to shqyrtohen, analizohen dhe hulumtohen teoritë moderne të letërsisë si edhe zhvillimet më të reja kritike e estetike për letërsinë.

Natyrisht, varësisht prej qëllimit të intervistuesve, në disa sosh trajtohen edhe problem të botimeve, të shtëpive botuese, të përkthimeve, të promovimit të librit, të komunikimit me lexuesin, të autorëve të ndryshëm, të programeve të letërsisë në shkolla, të tkurrjes e gjymtimit të tyre, të pozitës së shkrimtarëve e artistëve në shoqëri si edhe të raportit të intelektualit e krijuesit me pushtetin. Pra, bëhet fjalë për intervista të angazhuara e çliruese të një intelektuali e mendimtari nga më të rëndësishmit, jo vetëm në mendimin letrar, teorik e estetik, por edhe në mendimin politik të këtij vendi.

Leximi i këtyre intervistave nga distanca e sotme jep mundësi të mëdha për njohjen e filozofisë autentike intelektuale të Ibrahim Rugovës. Përgjigjet e Rugovës në këto intervista janë shenja të mëdha të kulturës së komunikimit letrar, estetik, teorik, social e politik, janë shenja dalluese të tij nga intelektualët e politikanët tjerë shqiptarë, nga të djeshmit dhe të sotmit.

Dialogët e Rugovës rrahin tema të mëdha e të vogla që lidhen me fatet tona në të shkuarën dhe me fatet tona në të ardhmen, përmes të cilave zbardhen aspiratat dhe qëllimet politike, projeksionet e mëdha për liri e demokraci jo vetëm brenda kufijve të Kosovës, por në gjithë hapësirën gjeografike shqiptare.

Ibrahim Rugova mbetet një figurë e përmasave të mëdha e dijes, shkrimit dhe veprimit. Ai është intelektual prej të rrallëve dhe më i veçanti që e fisnikëroi edhe politikën me ndjeshmërinë, urtinë, durimin dhe guximin. Ai kishte besim të palëkundur në lirinë e pavarësinë e Kosovës, në vlerat e shoqërisë demokratike dhe të kombeve të mëdha amerikane dhe evropiane. Ai, më shumë se kushdo tjetër, e fitoi besimin dhe e mori bekimin e popullit të Kosovës që, brenda dhe jashtë kufijve, të shprehë vullnetin politik dhe të prezantojë idealet dhe përkushtimin e shoqërisë kosovare për vlera univerzale, edhe në periudhën më të errët për Kosovën.

Prandaj, sot, në tymnajën politike nëpër të cilën po kalon shoqëria shqiptare, është e nevojshme si kurrë më parë që Rugova jo vetëm të kujtohet, por edhe të lexohet e të studiohet si profil i intelektualit model që vihet në shërbim të kombit e shtetit, në shërbim të zhvillimit të përgjithshëm të shoqërisë njerëzore.

Zoti e bekoftë veprën e tij!

Prishtinë, 21 janar 2024

 

(Munish Hyseni i ka përmbledhur intervistat dhe e ka përgatitur për shtyp librin “Pushteti dhe intelektualët”)