“MIRËSËVINI NË SHTËPINË E NOLIT!”

Vizitë e një grupi vatranësh të erdhur nga New Yorku te Kisha e Shën Gjergjit në Boston si dhe homazhe te vendprehja e Nolit, me rastin e 59 vjetorit të ndarjes së tij nga jeta

Nga Fuat Memelli

BOSTON

Fjalët e titullit të këtij shkrimi, ishin të parat që përgjegjësja e Bibliotekes së Nolit, Neka Doko, u tha 17 vatranëve që kishin ardhur dje më 13 mars nga New Yorku si dhe disave nga Bostoni, me rastin e 59 vjetorit të ndarjes nga jeta të Fan Nolit. Kishin marë këtë rrugë të gjatë për të nderuar figurën e themeluesit të kishës orthodokse shqiptare, diplomatit, poetit, përkthyesit, poliglotit, bashkëthemeluesit të Vatrës, Fan Noli.

Duke ecur në mjediset e kishës së Shën Gjergjit, zonja Neka i shjegon mysafirëve historinë e kësaj kishe, kontributin e emigrantëve shqiptarë për ta ngritur dhe mirëmbajtur atë si dhe punën e madhe të Nolit e vazhduesit të tij te kjo kishë, At Artur Liolinit. Duke parë këtu bustin e Nolit, fotot e reliket, na duket sikur dëgjojmë zërin e tij, sikur ndjejmë hapat e tij dhe na pushton një ndjenjë krenarie për këtë burrë të mënçur që bëri aq shumë për Shqipërinë dhe kombin shqiptar.

Vizitorët bëjnë foto të cilat duan t’i kenë kujtim. Mjeshtri i kameras dhe i fotografisë Adem Beliu, fikson çdo moment të kësaj vizite për ta pasqyruar te televizioni “Kultura shqiptare” që ai drejton prej 27 vjetësh.

Pas kishës vizita vazhdoi në mjediset e Bibliotekës Noliane.  E “zonja e shtëpisë” Neka Doko i foli miqve për dukumentat e çmuara të Nolit që ruhen këtu si dhe punën e madhe që po bëhet për dixhitalizimin e këtij fondi, i cili kur të përfundojë do vendoset në Bibliotekën e Kongresit Amerikan dhe biblioteka të tjera në Shqipëri e nëpër Botë, me qëllim që të shfrytëzohet nga historianët e sotëm dhe ata që do vijnë. Në këtë mjedis gazetari e studjuesi Idris Lamaj, i dhuroi bibliotekës një dokument me vlerë që Noli i drejtonte Petër Kolonjës më 14 janar të vitit 1943. Neka u tha vizitorëve që Vatra në New York si dhe kush ka dokumenta me vlerë të Nolit, t’i dorëzojë te kjo bibliotekë që të dixhitalizohen. Mysafirët dhanë donacione për t’u përdorur nga grupi që po punon për dixhitalizimin e materialeve të kësaj biblioteke.

Në vazhdim të pranishmit morën rrugën për në varrezat e Forest Hillit, ku prehet trupi i Nolit. Të gjithë vendosën lule te vendprehja e tij . Duke folur këtu kryetar Nderi i Vatrës dhe Nder i Kombit, Agim Rexha, ndër të tjera theksoi: “Këtu pranë ndodhet varri i Artur Liolinit, i cili ka thënë për Nolin: Pranvera ishte stina e tij. Në mars nisi misionin e tij. Në mars u dorëzua prift. Në mars hodhi themelet e kishës shqiptare të Bostonit, në mars dha shpirt”. Më pas Agimi bëri një betim para varrit të Nolit duke thënë: “Si vatran betohem para varrit se do të ndjek rrugën tënde dhe nuk do të braktis kurrë mardhënien me kishën e Shën Gjergjit që ti e krijove”.

Betim para varrit të Nolit bëri edhe ish sekretarja e Vatrës, Nazo Veliu, e cila theksoi: “Si bijë e Çamërisë, premtoj dhe betohem se do të ndjek rrugën dhe mësimet Fan Nolit, sa të jem gjallë”. Folën këtu edhe vatranët Petrit Alibej e Ramiz Mujaj, duke premtuar se do ecin në gjurmët e atdhetarit e patriotit të shquar Fan Noli, i cili shkriu jetën për kombin shqiptar.

Me një vizitë te ish varri i Faik Konicës, u mbyll kjo ditë e veçantë për gjithë pjesëmarrësit. Duke u takuar me vatranët e ardhur nga New Yorku dhe duke u larguar, na u duk sikur morëm me vete diçka nga shpirti i Nolit, për të mbajtur ndezur zjarrin e shqiptarizmës këtu ku na ka hedhur era e emigracionit.