Dy deputetë gjermanë i reagojnë Escobarit: Këshilli i Evropës vendos vetë për anëtarësimin e Kosovës

Berlin, 15 mars 2024 – Deputetët gjermanë Knut Abraham (CDU/CSU) dhe Frank Schwabe (SPD) kanë reaguar ndaj deklaratave të emisarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, se Kosova duhet t’i plotësojë edhe dy kushte të tjera që të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës (KE).

Abraham ka thënë se Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës “do të përcaktojë në mënyrë të pavarur” kriteret e anëtarësimit të Kosovës në KE.

“Ne i vlerësojmë shqetësimet e Escobarit, por mund ta sigurojmë atë se Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës do të përcaktojë në mënyrë të pavarur kriteret e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe do të vlerësohet përmbushja e tyre nga Kosova”, ka shkruar Abraham në platformën X.

Ai ka thënë se SHBA-ja nuk do t’i plotësonte kriteret për anëtarësim në KE.

“SHBA nuk do t’i plotësonte këto kritere për shkak të dënimit me vdekje që ekziston në disa shtete”, ka shkruar Abraham.

Ndërkaq deputeti Shwabe ka thënë se KE do të vendosë për anëtarësimin e Kosovës “bazuar në rregullat dhe vlerat e veta”.

“Me të gjithë respektin për të Dërguarin e Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, Këshilli i Evropës po bën të mundur gjëra që të tjerët nuk mund t’I arrijnë. Dhe ne do të vendosim për aplikimin e Kosovës për anëtarësim bazuar në rregullat dhe vlerat tona”, ka shkruar Schwabe në platformën X.

I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, tha se Kosova, pas përmbushjes së kërkesës për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastirit të Deçanit, duhet t’i përmbushë edhe dy kushte tjera për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Sipas tij, njëri ka të bë me disa shpronësime në pjesën veriore të Kosovëvë dhe tjetri është formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Tani, janë dy kushte të tjera që i kishte përmendur Këshilli i Evropës dhe që po i kërkojnë disa vende evropiane. Njëri është… [ka të bëjë] me disa veprime për shpronësimet që po bëhen në veri. Dhe, tjetri është Asociacioni”, ka thënë Escobar.

(r.m.)