Nga Qerim Vrioni
Pas një sëmundje të rëndë, në datën 12 mars 2024, u nda nga jeta në Francë atdhetari, shkrimtari, poeti, publicisti nga Prishtina Bajram Sefaj. Lajmi i hidhur më brengosi shumë, sepse atë e kisha mik të veçantë, me njohje dhe komunikim prej rreth njëzetë vitesh. Bajram Sefaj është dalluar për veprimtarinë e gjatë edhe si gazetar në TV dhe shtyp, eseist, reporter, intervistues etj., por dhe si një nga gazetarët kryesor të gazetës “Rilindja”. Për disa kohë ai ka shërbyer edhe si korespondent për media ndërkombëtare. Përmendim këtu edhe bashkëpunimin e tij me shtypin e shkruar të Tiranës, sidomos me shtojcën kulturore javore “Milosao” (“Gazeta Shqiptare”) disa vite më parë, dhe kohët e fundit në të përjavshmen letrare “ExLibris”. Shkrimet e tij në këto dy organe, lexoheshin me kënaqësi nga lexuesit e tyre.
Penës së Bajram Sefajt i përkasin dhjetra botime, thuajse të të gjitha gjinive letrare, një pjesë e cilave ndodhet në bibliotekën time vetjake të dhuruara nga ai, e kjo më jep kënaqësi të madhe. Bajram Sefaj shquhej për stilin e tij të të shkruarit shumë origjinal, shpesh here, thonë kolegët e tij, kuptohej autori ende pa shikuar emrin e tij nëpër gazeta. Duhet shtuar në këto rreshta edhe natyra e tij shumë miqësore dhe me humor që shpesh herë kalonte edhe në vetironi, aq e shëndetshme për mjediset e njerëzve të artit dhe kulturës.
Shuarja e Bajram Sefajt është quajtur me të drejtë dhe plot pezm prej disa kolegëve nga Prishtina si “varfërim i jetës kulturore”. Me prurjet e tij të shumta dhe të larmishme në lëmin e letrave shqip, Bajram Sefaj, mendojmë se meriton një vend të nderuar në historinë e kulturës kombëtare shqiptare. Ndjehem fort mirë që krijimtarisë time në lëmin e studimit të fotografisë dhe fotografimit, Bajrami i ka kushtuar disa artikuj analitikë dhe 2-3 intervista në shtypin shqip në të “dy anët e Drinit”.
Gjatë 2-3 dhjetvjeçarëve të fundit ai jetonte në Francë bashkë me familjarët, veçse sa herë shkonte prej andej në Prishtinën “e tij”, do të kthehej patjetër edhe në Tiranën “e tij”, mungesën e të cilave e ndjente mjaft. Kthimi i fundit i Bajramit në Tiranë do ishte në shtatorin e vitit 2022. Natyrisht u takuam bashkë për tu çmallur, për të biseduar dhe pirë kafe tek Bar “Taivani”, ku kaluam një copë herë edhe me humorin e tij të hollë dhe të pashtershëm. Aty është shkrepur dhe kjo foto (fotoja dyshe), e cila mbetet e fundit me të, por që do të ma kujtojë përherë mikun tim, Bajram Sefaj.