Kairo, 21 mars 2024 – Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, ndodhet në Egjipt të enjten për bisedime të përqendruara në përpjekjet për të siguruar një armëpushim në luftën Izrael-Hamas, lirimin e pengjeve që mbahen në Gaza dhe dërgimin e më shumë ndihmave humanitare atje për të ndihmuar civilët palestinezë.
Programi i sekretarit Blinken përfshin takime të veçanta me zyrtarë egjiptianë dhe me përfaqësues nga Jordania, Arabia Saudite, Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Shumë vende janë përfshirë në bisedime prej javësh në përpjekje që të dalin me një propozim të pranueshëm si për Izraelin, ashtu edhe për grupin militant Hamas.
Sekretari Blinken do të informojë udhëheqësit izraelitë për zhvillimet më të fundit, në vizitën e planifikuar për të premten në Izrael.
Sipas një deklarate të Departamentit Amerikan të Shtetit, sekretari Blinken do të diskutojë në Izrael “nevojën për të siguruar mposhtjen e Hamasit, duke përfshirë pjesëtarët e grupit në Rafah, në një mënyrë që mbron popullsinë civile, nuk pengon shpërndarjen e ndihmës humanitare dhe avancon sigurinë e përgjithshme të Izraelit”.
Shtetet e Bashkuara kanë shtuar kundërshtimet ndaj planit të Izraelit për një sulm tokësor në qytetin Rafah, që shtrihet përgjatë kufirit ndërmjet Gazës dhe Egjiptit, për të cilin Izraeli thotë se është i nevojshëm për të përmbushur synimin e tij për mposhtjen e Hamasit dhe për të siguruar që grupi të mos kryejë një sulm tjetër si ai i 7 tetorit në Izrael.
Më shumë se një milion palestinezë janë strehuar në Rafah, shumë prej tyre pasi u larguan nga pjesë të tjera të Gazës në përpjekje për të gjetur strehë nga lufta.
Pentagoni tha se Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin, diskutoi të mërkurën me ministrin izraelit të mbrojtjes Yoav Gallant, nevojën për të “shqyrtuar alternativa ndaj një operacioni të madh tokësor në Rafah”.
Sekretari Austin i tha ministri Gallant se Shtetet e Bashkuara mbështesin synimin për të mposhtur Hamasin, thuhet në një deklaratë të Pentagonit. Të dy zyrtarët folën gjithashtu për nevojën për të mbrojtur civilët dhe për të “rritur urgjentisht rrjedhën e ndihmës në Gaza përmes rrugëve tokësore”.
Përveç numrit të të vrarëve në luftë, 1,200 në sulmin e Hamasit me 7 tetor ndaj Izraelit dhe afro 32,000 në kundërsulmin e Izraelit në Gaza, dërgimi i ndihmave humanitare në zonën e luftës për të ndihmuar palestinezët e uritur, është bërë një nga çështjet më të diskutueshme të konfliktit midis Izraelit dhe aleatëve të tij perëndimorë.
Sekretari Blinken filloi vizitën e tij në rajon në Arabinë Saudite, ku u takua të mërkurën me Princin e Kurorës Mohamed bin Salman dhe ministrin e Jashtëm Princin Faisal bin Farhan. Në takime u diskutua “nevoja urgjente për të mbrojtur të gjithë civilët në Gaza dhe për të shtuar menjëherë ndihmat humanitare për ata që kanë nevojë”, tha në një deklaratë Departamenti amerikan i Shtetit.
Sauditët njoftuan ndarjen e një ndihme prej 40 milionë dollarësh për agjencinë e OKB-së për refugjatët palestinezë, për të mbështetur “përpjekjet e saj humanitare në Rripin e Gazës”.
(Zëri i Amerikës)