“ETJA PËR DIJE-MOTIVI QË MË KA NDJEKUR PAS GJITHË JETËN”

  -Kushtuar fizikantit shkencëtar, qytezarit Vasil Pajçini, me gradën PhD, i cili punon në një kompani të njohur amerikane-   

Nga Fuat Memelli

Figurat e shquara të Devollit, që kanë lënë gjurmë në Shqipëri e nëpër Botë, më kanë tërhequr e vazhdojnë të më tërheqin vazhdimisht. Është zëri i krahinës tonë të dashur, që më nxit t’i qëmtoj këta njerëz, për t’i bërë të njohur për lexuesit e gazetës e më gjerë. Ne që na qëlloi fati të meremi me gazetari, e kemi për detyrë morale të shkruajmë e të flasim për këta njerëz me të cilët krenohemi. Ata shërbejnë edhe si modele për brezat që vijnë. Këtë rradhe “stacioni” i ndalesës time ishte Qyteza, një fshati i bukur i vendosur në një luginë në prehër të maleve, në Devollin e Sipërm. Sot ajo është tkurur nga largimet e shumta , ashtu si shumë fshatra të tjerë në Shqipëri, por gjurmët që kanë lënë njerzit e saj, nuk mund të shuhen. Ky fshat ka nxjerrë disa figura të njohura siç janë: patrioti Kol Tromara, veprimtar i shquar i “Vatrës” në Amerikë (ka qenë sekretar e kryetar i saj) dhe ka patur disa detyra të rëndësishme në Shqipëri, është pushkatuar nga regjimi komunist dhe sot s’ka varr; aktorët shqiptaro-amerikanë, vëllezrit Xhon e Xhim Belushi; mjeshtri i vallzimit, Pandeli Talko; basketbollisti Pandeli Palko (i riu), ish pjesëtar i ekipit kombëtar; mësuesi enciklopedist, Dhimitër Farmaqi; shkrimtari Petraq Samsuri; Valentina Duka, historiane e njohur dhe sot deputete e PD-së; Nik Vangel, biznesmen  me emër në Çikago, etj. Por, sot do ndalem te fizikanti i shquar, shkencëtari, Vasil Pajçini, i cili  ka qëndruar larg medias, duke punuar pa zhurmë e bujë. Siç thotë populli “kalliri plot, e mban kokën poshtë”.

Me familjen në SHBA

DARDHA BIE NDËNË DARDHË

Është kjo një shprehje e vjetër e popullit tonë por që ka dalë nga përvja jetësore, kur pasardhesit vazhdojnë rrugën e  të parëve të tyre. Vasili vazhdoi rrugë e babait, Koci Pajçini, i cili ka qënë mësues fizike në Miras. Atëhërë Vasili ishte fëmijë, por qysh atë kohë ze fill ëndra  e tij pë t’u bërë fizikan. Ka qënë fëmijë me zgjuarsi të veçantë. Qysh 5 vjet, dinte gjithë kryeqytetet e botës. Duke parë zgjuarsinë e Vasilit, mësuesi i fshatit, Niko Ilo, e regjistroi në shkollën fillore me nxënësit që ishin një vit më i madh se ai. Pas fillores, vazhdon shkollën 7 vjeçare  “Bajram Islami-Memelli” të Sinicës, një shkollë e vjetër dhe me tradita. Aty lëndën e matematikës dhe fizikës, e jepte mësuesi enciklopedist, qytezari Dhimitër Farmaqi. Ky mësues, me njohuritë e tij, la gjurmë të pashlyera te Vasili. Rruga e dijes vazhdon në gjimnazin “Themistokli Gërmenji” të Korçës. Duke mbaruar “shkëlqyeshëm” shkollën e mesme , i hapen dyert për të vazhduar degën e Fizikës, në fakultetin e Shkencave të Natyrës. Dashuria qe kishte për dy lëndët: matematikë e fizikë, anoi nga fizika. Ëndra për t’u bërë fizikant, po realizohej. Gëzimi i tij ishte i papërshkueshëm. Një ditë, pasi kishin bërë një kolekium (provim për një pjesë të lëndës), profesori i shquar, Vasil Kuneshka, hyn në auditor dhe pyet :”Kush është Vasil Pajçini?”. Studenti ngrihet në këmbë dhe dëgjon profesorin që thotë :”  Bravo Vasil! Kurrë nuk kam patur rastin të korigjoj një provim si ky i joti.” Vasili lumturohet nga ky vlerësim i lartë që i bëri profesor Kuneshka para gjithë studentëve. Edhe studimet universitare, i mbaroi ashtu si shkollat e mëparëshme:” shkëlqyeshëm”.

VITET E PUNËS NË SHQIPËRI DHE….

Në fund të fundit, puna është “barometri” që tregon sa i ke përvetësuar njohuritë e shkollës dhe sa je në gjendje t’i zbatosh ato në praktikë. Megjithëse mbaroi “shkëlqyeshëm” nuk e mbajtën në Universitet, siç kishte ndodhur deri atëherë që student të tillë i mbanin në fakultet. Ai u qetësua pasi atë vit nuk mbajtën asnjë student të tillë. E caktojnë me punë në Ndërmarjen Bujqësore të Hoxharës në rrethin e Fierit, si fizikant për çkripëzimin e tokave që kishin qënë kënetë. U detyrua të mësojë nga e para fizikën e tokës. Megjithë vështirësitë që kishte nga mungesa e paisjeve të nevojshme, la gjurmët e tij gjatë 5 vjetëve që punoi në këtë ndërmarje. Aty u njoh dhe u martua me Vojsavën, e cila u bë jo vetm bashkëudhëtarja e jetës, por edhe mbështetësja në punën e tij.

Ishte viti 1982 kur e transferuan në Institutin e Fizikës Bërthamore në Tiranë. Këtu ai si të thuash, gjeti “shtëpinë” e vet. Në Institut u ngrit një grup pune për aplikimin e rezeve lazer. Fati vazhdoi t’i buzëqeshë. Pas dy vjet pune në Institut, një grup prej tre vjetësh, midis tyre edhe Vasilin, e çojnë për specializim dy vjeçar në Francë në fushën e spektrometrisë “Raman” të gazeve në presion. Pas këtij specializimi, ai tani shkencërisht mund të përcaktonte ecurinë dhe rezultatet e eksperimenteve shkencore. Me përpjekjet e specialistëve të këtij instituti si dhe falë mbështetjes ndrkombëtare, në vitin 1990, në Institutin e Fizikës Bërthamore, u ngrit një sektor lazerash.  Ngritja e këtij sektori si dhe mbrojtja e doktoraturës, përbëjnë kapitullin e fundit të punë së tij në atdhe.

…..AMERIKË

Një rrugë e re hapet për fizikantin Vasil Pajçini. Duke patur nënën me dokumenta amerikane, në vitin 1993, vjen në Amerikë. Edhe këtu nuk i ndahet studimeve në fushën e fizikës. Në vitin 1994, fillon studimet në Universitetin e Pitsburgut. Studjon këtu për 5 vjet duke u marë edhe me punë shkencore në spektrometrinë ultraviolet “Raman”  të materialeve biologjike në trajtë kristaline. Mbron edhe doktoraturën duke , duke fituar gradën  PhD, që është nga më të lartat për kualifikimet në Amerikë. Më pas fillon punë në qendrën e quajtur EAG, në qytetin Synyvale, pranë San Franciskos në Kaliforni, që është djep i qarqeve të integruar si dhe të kompjuterave.  Kjo kompani ka degë në të gjithë botën. Këtu ai meret me aplikimin e rezeve “Lazer” e cila quhet “Raman spectroscopy”. Në këtë kompani ai mban titullin” Scientist”- shkencëtar. Është ky një titull i lartë që nderon jo vetëm Vasilin e familjen e tij por edhe Qytezën, Devollin e Shqipërinë. Krahas kësaj pune, kompania e tij kryen edhe punë që përbëjnë sekret  shtetëror. Një ndër ata që kryejnë këto punë, është edhe shqiptari Vasil Pajçini. Rrugën e dijes që ndoqi ai,  e vazhduan edhe dy djemtë e tij të cilët u shkolluan në Amerikë . Djali i parë, Kostandini, është As.Profesor në një nga universitetet e Ilinoisit në Çikago, ndërsa djali tjetër, Marleni, është doktor radiolog në spitalin e qytetit, Santa Klara. Ja, kjo është hapësira që  Amerika, ky vend i  lirisë, u krijon emigrantëve.

 

NOSTALGJI DERI NË DHIMBJE

Kështu e cilëson fizikanti Vasili Pajçini, dashurinë e mallin që ka për vendlindjen, Qytezën ku i “ka rënë koka”.  Këtë mall e ka ndier prej vitesh. Siç thotë vetë, kjo ndjenjë ka zënë fill qysh në vitin 1968, kur mbaroi shkollën e Sinicës dhe filloi gjimnazin në Korçë. Qysh atëhere e deri sot, mbeti vizitor në vendlindje. Kur ishte me studime dhe me punë në Shqipëri, shkonte shpesh, por kur ardhi në Amerikë, vizitat në vendlindje janë rralluar, por jo pesha e mallit. Ai mban lidhje me ata pak qytezarë që kanë mbetur në fshat si dhe me qytezarë të tjerë në Shqipëri e nëpër Botë, veçanrisht në Çikago, ku ka një komunitet të madh qytezarësh, që kanë edhe shoqatën e tyre me emrin “Përparimi”, e krijuar qysh në vitin 1923 nga emigrantët qytezarë. Por, siç ka thënë Horaci “ qiellin por jo shpirtin ndryshon ai që shkon përtej detit”. “Magneti” i Qytezës e ka tërhequr dhe e tërheq drejt prehërit të saj. Sa herë shkon aty, shijon bukurinë e fshatit me shtëpi të gurta, dëgjon ison e lumit Devoll që murmurit aty pranë ; dëgjon cicërimat e zogjve; viziton dy kishat e vjetra; prek me dorë dhe shpirt gjithçka që i përket fshatit të tij, për të cilën aktori i madh Xhim Belushi ka thënë: “Qyteza është një fshat i bukur, një nga vendet më magjike e misterioze që kam njohur dhe parë në jetën time…”

 Boston, mars 2018 .