Tiranë, 29 mars 2024 – Këshilli Bashkiak i Himarës caktoi sot nënkryetaren e Bashkisë, Blerina Bala për të drejtuar qytetin bregdetar pasi kryetari në detyrë, Jorgo Goro dhe ai i zgjedhur Fredi Beleri janë në burg.
Mbledhja e Këshillit Bashkiak u shoqërua me tensione, kur një grup qytetarësh përkrahës të Fredi Belerit, kërkuan me tone të larta dhe fyerje që deputeti socialist Blendi Klosi dhe prefektit i qarkut të Vlorës, Vangjel Tavo të mos ishin në sallën ku ishin mbledhur këshilltarët.
Pas pranisë policore në sallë për të ulur tensionet dhe një ndërprerje të shkurtër, këshilltarët e kanë zhvilluar mbledhjen me dyer të mbyllura në një mjedis tjetër të bashkisë, pa pjesëmarrjen e qytetarëve.
Ndonëse socialistët kanë 9 vota në Këshillin Bashkiak nënkryetarja e bashkisë Blerina Bala u zgjodh me 15 vota pro dhe katër kundër duke marrë vota dhe nga këshilltarët e opozitës.
Kryeministri Edi Rama reagoi pas mbledhjes së Këshillit Bashkiak të Himarës përmes një postimi në rrjetin social X, duke e konsideruar votimin për Blerina Balën, si kryetare në detyrë, “ një zhvillim pozitiv për vazhdimin e punës së qeverisë vendore”.
Votimi i këshilltarëve në Himarë erdhi pas dorëheqjes së kryetarit në detyrë të bashkisë Jorgo Goro, i cili është arrestuar nga Prokuroria e Posaçme për tjetërsim pronash dhe pas dënimit të kryetarit të zgjedhur Fredi Beleri nga Gjykata e Posaçme e shkallës së parë për për korrupsion aktiv në zgjedhje.
Kryetari në detyrë i Bashkisë së Himarës Jorgo Goro u arrestua pak ditë më parë nën dyshimet se përmes dokumenteve të falsifikuar ka lejuar regjistrimin e parregullt të dy pasurive të patundshme në bregdet, të cilat, pas disa transaksioneve, i kaluan sipërmarrësit Artan Gaçi, bashkëshort i ish ministres së Jashtme, Olta Xhaçka, për të ndërtuar një kompleks turistik në bregdetin e Dhërmiut. Zoti Goro i ka hedhur poshtë akuzat e Prokurorisë.
Hetimet për këtë rast nisën pas një kallëzimi të bërë në muajin gusht të vitit të shkuar nga kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri.
Zoti Beleri, i cili u shpall fitues në bashkinë e Himarës në zgjedhjet vendore të majit të vitit të shkuar, nuk arriti ta merrte detyrën pasi u arrestua nga polica dy ditë para zgjedhjeve vendore dhe është dënuar nga Gjykata e shkallës së parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me dy vjet burg për korrupsion aktiv në zgjedhje.
Rasti i zotit Beleri, kandidat i opozitës në zgjedhjet vendore, e përfaqësues i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, e cila mbron interesat e minoritetit grek, ka acaruar dukshëm marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Fillimisht Athina kërkoi lirimin e tij, duke pretenduar shkelje të të drejtave të minoritetit. Më pas foli për shkelje të të drejtave politike, duke këmbëngulur që zotit Beleri duhej t’i jepej e drejta për të bërë betimin.
Kërkesat e kryebashkiakut të zgjedhur, për t’i mundësuar atij këtë gjë, janë hedhur poshtë nga gjykatat shqiptare, ndërkohë që autoritetet e vendit i janë përmbajtur qëndrimit se çështja i përket drejtësisë, dhe ata nuk mund të ndërhyjnë.
(Raimond Kola, Zëri i Amerikës)