Tiranë, 30 prill 2024 – Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, është thirrur në Prokurorinë e Posaçme kundër Krimit të organizuar dhe Korrupsionit, në kuadër të hetimeve që po zhvillohen për inceneratorin e Tiranës. Zoti Veliaj ishte thirrur për t’u paraqitur në orën 10.00, por ai shkoi gati një orë më parë, duke u detyruar të priste orarin e caktuar nga prokurorët, në mjediset e hyrjes së godinës.
Kjo është hera e parë që zoti Veliaj thirret në Prokurorinë e Posaçme, ndërsa prej shumë kohësh ai është vënë në qendër të sulmeve të opozitës, e cila e konsideron atë si personin kyç për rastin e inceneratorit të Tiranës. Një akuzë të ngjashme lëshoi ndaj tij, por pa ofruar prova e fakte, edhe ish zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, në arrati që prej verës së shkuar, pasi Prokuroria e Posaçme, kërkoi arrestimin e tij, po për çështjen e inceneratorëve.
Në gusht të vitit të kaluar, Prokuroria e posaçme vuri nën sekuestro impiantin e trajtimit të mbetjeve në Tiranë. Kontrata për ndërtimin e tij, me kosto të investimit të parashikuar prej 128 milionë euro (pa TVSH) u firmos nga kompania “Integrated Energy B.V. S.P.V.” sh.p.k dhe Ministria e Mjedisit, në vitin 2017. Pas emrit të kompanisë qëndronte një tjetër me seli në Hollandë, “Integrated Energy B.V”, e cila më pas ndryshoi emrin në “Geogenix B.V”, ndërkohë që zotëruesit e tyre mbetën të paqartë. Por Prokuroria e Posaçme bëri të ditur se sipas hetimeve, dy sipërmarrësit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri janë pronarët “de facto” dhe të impiantit të Tiranës, sikundër dhe në dy të tjerët në Ebasan dhe Fier.
Në muajin dhjetor, Gjykata e Posaçme firmosi, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, 15 urdhëra arresti, si pjesë e hetimeve për inceneratorin e Tiranës, nga të cilët 6 me arrest shtëpie. Mes urdhërave për arrest me burg figuronte dhe emri i Taulant Tushes, Drejtor i Përgjithshëm i Punëve Publike në Bashkinë e Tiranës, një nga postet më të rëndësishme dhe më me peshë, i konsideruar si një ndër bashkëpunëtorët më të afërt të kryebashkiakut Erion Veliaj. Po ashtu, urdhër arresti ka patur dhe për një tjetër ish drejtor të Bashkisë, Namik Thimixhi, i cili mbulonte Menaxhimin e mbetjeve dhe ishte në varësi direkte të Tushes. Urdhërat e arrestit prekën sërish dhe ish ministrin e Mjedisit Lefter Koka, si dhe ish deputetin socialist Alqi Bllako, si dhe dy sipërmarrësit Mirel Mërtiri e Klodian Zoto.
Zoti Veliaj ka hedhur poshtë në mënyrë të përsëritur dyshimet për përfshirjen e tij në rastin e inceneratorit të Tiraës me të cilin, siç është shprehur “e vetmja gjë që më ka lidhur ka qenë pastrimi i këtij qyteti, tanimë shembullor në pastërti”.
Në mars të këtij viti, Bashkia e Tiranës mori një tjetër goditje kur dy ish drejtuesë në Bashkinë e Tiranës, Redi Molla, i cili ka qenë në krye të shoqërisë “ujësjellës Kanalizime”, dhe Maringlen Qato, deri para disa kohësh në krye të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit, u arrestuan nën dyshimet për “korrupsion pasiv” dhe “fshehje e mosdeklarim të pasurisë”. Një urdhër i dytë arresti, u lëshua dhe për Taulant Tushen, i dyshuar për “shkelje të barazisë në tendera”.
Ish drejtorët, Molla dhe Qato, dyshohet të jenë pronarët realë të kompanisë 5D, e cila, sipas hetimeve të deritanishme, ka përfituar në mënyrë të parregullt, tendera nga agjensitë në varësi të Bashkisë. Në një dalje të gjatë publike në fillim të muajit, zoti Veliaj u distancuar nga ish drejtorët e tij, duke deklaruar se cilido person i përfshirë, duhet të përballet vetë me drejtësinë.
Opozita e cila ka kërkuar mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit bashkiak, ku zoti Veliaj të japë shpjegime, prej disa javësh ka organizuar protesta përpara Bashkisë, me tirrjet për dorëheqjen e tij. Protestat janë shoqëruar me tensione me forcat e shumta të policisë si dhe me episode të dhunshme, të lëshimit të molotovëve drejt hyrjes së godinës së Bashkisë. Protesta e radhës është njoftuar pasditen e sotme, pak përpara nisjes së mbledhjes së zakonshme të Këshillit bashkiak.
(Zëri i Amerikës)