Nga Kozeta Këze Zylo
Në restorantin “Basement” në ishullin e bukur në Staten Island me pronar biznesmenin shumë të suksesshëm z. Julian Gaxholli ne darkuam së bashku me Ambasadore Suela Janina, Përfaqësuesja më e re e Përhershme e Shqipërisë në Kombet e Bashkuara.
Ambasadore Suela Janina gjatë takimit vlerësoi lart Shkollat Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit dhe shprehu bindjen se ky Mision Kombëtar qe ju keni ndërmarrë si familje dhe si shkollë do të vazhdoje përjetësisht. Ju vertetë keni emigruar nëpër botë, por ju jeni integruar plot kulturë dhe dinjitet, çka ne na bën krenar si shqiptarë. Une i njoh mirë shkollat shqipe në Diasporë pasi kam qenë shumë e përfshirë në Belgjikë ku punova për 10 vjet si ambasadore në Bashkimin Evropian nga viti 2014 deri në vitin 2024. Ambasadore Suela Janina shprehu me admirim punën e mësuesëve, të prindërve dhe nxënësve në Diasporë dhe natyrshëm tha se çdo shqiptar e thërret gjaku i të parëve duke mos harruar rrënjët nga vimë. Interesant ishte kujtimi që ndau me mikun tonë të përbashkët të dënuarin politik Lek Pervizi. Ai shkruante fjalë miradie dhe respekti për Ambasadoren Janina në Belgjikë. Ndërsa unë e kam intervistuar z. Pervizi, Ambasadore Janina e ka takuar disa herë direkt në Belgjikë dhe ka kominikim të vazhdueshëm me z. Pervizi. Ai është një ndër intelektualët e shquar të Kombit, që provoi ferrin komunist, kalvarin e vuajtjeve, si i burgosur, internuar, me 16 viktima në familjen e tij, varret e te cilëve akoma nuk dihen, përveçse të nënës dhe të vëllait të tij Gencit, te cilat i kam botuar në gazetën “Illyria” dhe në gazetën “Dielli”.
Pak kohë ka që ka ardhur në New York, Përfaqësuesja më e re e Përhershme e Shqipërisë në Kombet e Bashkuara, Suela Janina, e cila i dorëzoi letrat kredenciale Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, António Guterres në muajin prill.
Ambasadore Janina u diplomua në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, Master në Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut dhe Ph.D, doktoraturë në të drejtën ndërkombëtare nga Universiteti i Tiranës.
Ne ndamë së bashku përvojat tona, historitë dhe ndaleshim në vendin tonë të shenjtë, sepse siç thotë populli: ku dhëmb dhëmbi vete gjuha. Mësuese Mira bashkë me bashkëshortin e saj Agron Damzi i cili është diplomuar për histori filologji, një atdhetar i flaktë dhe së bashku janë dashamirës të Shkollave Shqipe “Alba Life” flisnin me dashuri për punën dhe mësimdhënien në këto shkolla. Ata ndanë me ne përvojën se si punojnë me mbesën e tyre bukuroshen Rea per t’i folur vetëm shqip në familje, sepse gjuha shqipe fillon më së pari nga prindërit. E sigurisht Agroni s’mund të rrinte pa përmendur dhe Skavicën i cili është nismëtar bashkë me dibranët dhe komunitetin për ta mbrojtur Dibrën dhe për t’i thënë jo projektit të Skavicës që shkatërron 30 fshatra nga ndërtimi i hidroncentralit.
Ambasadore Janina i uroi pronarit të këtij restoranti suksese të mëtejshme dhe njëkohësisht për dekorimin e mjediseve plot shije dhe kulturë.
“Basement” Staten Island është një tavernë amerikane. Koncepti më i ri nga Julian Gaxholli i njohur për restorantet si Blue, Beso, Bayou.
Vlen për t’u përmendur se Julian Gaxholli nuk e pëlqen vëmendjen e medieve. Ai është histori suksesi dhe të befason për thjeshtësinë e tij dhe punën e mahnitshme që bën. Restorantet filluar me Blue restorant që terhoqi vëmendjen deri në gazeten me të famshme në boë New York Times flet qartë për përkushtimin, inteligjencën dhe imagjinatën e tij. Ai është mjeshtër i gatimeve nga më të shijshme, por dhe artist në shpirt. Duke parë gjithë muret me librat me autorët më të njohur në botë, tavanet me pjesë gazetash, dyertë dekoruar plot art, modernizem dhe traditën ndjeje në thelb të zemrës se Juliani ka një imagjinatë të jashtëzakonshme krijuese dhe si me magji të artit, të thjeshtësisë di t’i tërheq klientët duke ju shërbyer plot kulturë. Juliani është dhe një bamirës dhe shpirtmadh, çka janë cilësi të një humanisti dhe biznesmeni të vërtetë. Ai tha se ishte kënaqësia e tij që në këtë restorant të hapur vetëm një javë më parë të kishte vizitorë diplomatë të nivelit më të lartë si Ambasadoren Janina.
Zoti Qemal Zylo themeluesi dhe drejtuesi i TV dhe Shkollave Shqipe “Alba Life” në gjithë Nju Jorkun dhe në Online e falënderoi Ambasadoren Janina për këtë takim të rëndësishëm dhe i uroi punë të mbarë në këtë detyrë kaq të rëndësishme diplomatike si përfaqësuese e Shqipërisë në Kombet e Bashkuara. Ai foli shkurt për historinë e krijimit, punën vullnetare, profesionalizmin e mësueseve shumica e të cilave janë me licensen e mësuesisë nga shteti amë dhe New Yorku, punën me prindërit e shumtë, përpjekjet dhe mundimet për sigurimin e librave, abetareve dhe vazhdimësinë pa u ndalur asnjë ditë nga mësimi i Gjuhës Shqipe në Diasporë. Ai kërkoi ndihmë për t’i siguruar pak më lehtë abetaret për vitin e ardhshëm, gjë që Ambasadore Janina e mori në konsideratë dhe premtoi se do të punojë për t’i siguruar më lehtë. Ndërkohë foli dhe për pjesëmarrjen fizike me nxënës dhe mësues në aktivitete, demonstrata, tubime të ndryshme me kamera në dorë si TV “Alba Life” dhe transemetimin në kanalin 27 në paketën digitale TVAlb. Kujtoi plot respekt përkrahjen nga Ambasadorja në Washington Floreta Faber, përkrahjen e saj, si dhe diplomatët e tjerë. U ndal tek diplomatët e Kosovës si Ambasador Blerim Reka i cili ka vizituar Shkollën në Brooklyn dhe ndërkohë kujtoi me respekt Ambasadoren Teuta Sahatqija e cila me Alba Life në vitin 2018 hapi siparin e Javës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës në New York. Me veprimin e saj ajo tregoi se sa e rëndësishme është shkolla shqipe. Ajo tha se duam të nderojmë këtë përvjetor të rëndësishëm për qytetarët e Kosovës dhe për të gjithë shqiptarët që jetojnë kudo nëpër botë.
Nisja e këtij karvani të ngjarjeve nga shkolla dhe nxënës që mësojnë shqip nuk ishte zgjedhje e rastësishme. Pikërisht Shkolla Shqipe ishte në shënjestër të regjimit të Millosheviqit i cili deshi ta shuajë Gjuhën Shqipe, t’i mbyllë shkollat, ta zhbënte historinë e shqiptarëve në tokën e Kosovës.
Ne bashkërenduam planet tona me Ambasadoren Suela Janina, Përfaqësuesja me e re e Përhershme e Shqipërisë në Kombet e Bashkuara e cila shprehu dëshirën për një vizitë në shkollat Shqipe “Alba Life”, New York. Nxënësit dhe mësuesit do të mirëpresin me dashuri dhe respekt ashtu si gjithë vizitorët e shumtë që kanë ardhur dhe kanë mbështetur Misionin tonë Kombëtar.
Rreth Ambasadores Janina sipas shënimit biografik në faqen zyrtare të Kombeve të Bashkuara
Përfaqësuesja e re e Përhershme e Shqipërisë në Kombet e Bashkuara, Suela Janina,
para emërimit të saj, ka mbajtur postin e ambasadores në Bashkimin Evropian nga viti 2014 deri në vitin 2024.
Nga viti 2012 deri në vitin 2014, ajo shërbeu në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë si Drejtoreshë në Departamentin për Traktatet dhe të Drejtën Ndërkombëtare dhe më pas si Drejtoreshë e Përgjithshme për Marrëdhëniet Shumëpalëshe.
Nga viti 2004 deri në vitin 2007 ka qenë këshilltare në Konsullatën e Përgjithshme të Shqipërisë në Milano dhe nga viti 1999 e deri atëherë eksperte ligjore në Departamentin e Traktateve dhe të Drejtës Ndërkombëtare në Ministrinë e Punëve të Jashtme.
Për më tepër, ajo ka përvojë në shërbimin në komitetet e OKB-së, duke përfshirë si Kryetare dhe Zëvendës Kryetare e Komitetit të Kombeve të Bashkuara për Zhdukjet e Detyrueshme. Ajo shërbeu gjithashtu si Arbitre Alternative në Gjykatën e Pajtimit dhe Arbitrazhit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe si Anëtare e Gjykatës së Përhershme të Arbitrazhit.
E lindur në vitin 1976, znj. Janina ka një diplomë Bachelor në drejtësi nga Universiteti i Tiranës, një diplomë master në demokraci dhe të drejtat e njeriut të dhënë së bashku nga Universiteti i Sarajevës (Bosnjë dhe Hercegovinë) dhe Universiteti i Bolonjës (Itali) dhe një doktoraturë për te drejtën ndërkombëtare nga Universiteti i Tiranës.
Autorja e shkrimit është shkrimtare, mësuese dhe bashkëthemeluese e Shkollave Shqipe “Alba Life” në New York, Ambasador i Kombit, Gruaja e Vitit 2022, NY dhënë nga Motrat “Qiriazi”, si dhe ka marrë titullin e lartë: Kalorës i Urdhrit të Flamurit nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë.
5 maj, 2024
Staten Island, New York