Vritet efektivi i policisë në Fier, policia kërkon ndihmë për kapjen e autorit

Tiranë, 13 maj 2024 – Një efektiv policie i forcave “Shqiponja” u vra me armë zjarri në fshatin Baltëz të Fierit. Ngjarja ndodhi rreth orës 13:00 në rrugën kryesore të fshatit Baltëz, ku viktima Novruz Cenaliaj, 28 vjeç, ishte duke lëvizur me automjetin e tij për të shkuar në punë.

Cenalia ishte i veshur me uniformë dhe me armën e shërbimit me vete. Ai ishte banor i Baltëzës dhe sipas njoftimit paraprak të policisë së Fierit u përfshi në një konflikt të çastit me Azgan Mernicën 23 vjeç banor i fshatir fqinj Sulaj. Ky i fundit e ka qëlluar me armën duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme efektivit të policisë.

“Në orën 13:20 morëm njoftimin për një plagosje me armë në fshatin Baltëz, pastaj rezultoi se kishte ndërruar jetë efektivi i policisë Novruz Cenaliaj, i cili shërbente në policinë e Fierit prej 4 vitesh dhe dy vjet në forcat “Shqiponja””, thuhet në njoftimin e policisë. Policia bëri me dije se identifikoi si autor Azgan Mernica, ndërsa tha e motivi ishte një grindje e momentit.

Lorenc Panganika drejtori i policisë së qarkut Fier në një deklaratë publike i bëri thirrje të dyshuarit të dorëzohej dhe kërkoi ndihmë nga familjarët e tij për të mundësuar dorëzimin.   “Jemi duke punuar intensivisht për të kapur autorin, i bëj thirrje familjarëve të bashkëpunojnë për të kapur autorin se zbatimi i ligjit do jetë mjaft i ashpër”, tha ai.

Menjëherë pas njoftimit për ngjarjen në zonë janë dërguar forcat speciale RENEA dhe shërbime të tjera. Ndërkohë policia publikoi foton e autorit duke ofruar shpërblimin prej 30 mijë euro për cilindo që jep informacione për vendndodhjen e tij. “Kushdo që ka informacion të telefonojë në numrin pa pagesë 112, duke iu garantuar anonimatin. Për çdo informacion të vlefshëm, Policia e Shtetit vë në dispozicion shpërblimin 30 000 euro”, njoftoi policia.

(r,m,)