Nga Ruben Avxhiu
E përktheva këtë shkrim në “The Wall Street Journal” te historianes Amanda Foreman sepse i kushtohet fjalimeve të humbësit në zgjedhje, kësaj kryevepre të demokracisë moderne, e të civilizimit të kohës sonë.
M’u kujtua se sa kanë munguar këto akte në këto 30 vite të “demokracisë” shqiptare. Se si ende nuk kemi gjetur udhëheqës që janë më të mëdhenj sesa roli i politikanit, se sa pak e ka çmuar dhe kërkuar aspektin njerëzor shoqëria jonë te udhëheqësit dhe figuart e saj publike në këto vite.
Kryepolitikanët tanë nuk munden kurrë. Atyre vetëm ua vjedhin fitoren. Po ata janë pjesë e natyrshme e shoqërisë shqiptare dhe pjesë e një dukurie shumë më të përhapur në gati çdo profesion. Nuk e marrin çmimin e parë se juria është e blerë. Nuk u shitet libri se publiku është idiot. E kështu me radhë. Nuk ka fisnikëri në humbje, ndonëse jemi një shoqëri ku humbja është në çdo skaj.
Shkrimi, pavarësisht se nuk bën ndonjë aludim të drejtpërdrejtë është padyshim një notë nostalgjie që ndjejmë të gjithë në këto zgjedhje të zvarritura në një klimë të helmuar politike, për traditat më të bukura të politikës amerikane. Mall për fituesit modestë të kërrusur nga përgjegjësia e borxhi ndaj kombit, e humbës krenarë, të gatshëm për ta vënë kombin mbi veten. Në fakt, siç e tregon historinë autorja e këtij shkrimi është më e mundshme që kjo epokë e bukur të ketë qenë një anomali e tani të zgjuar ndoshta nga idealizmi e pafajësia naive, po rikthehemi në natyrën e vërtetë njerëzore.
Udhëheqësit që u tërhoqën me fisnikëri
By Amanda Foreman, “The Wall Street Journal”
Fjalimi i humbësit është një nga arritjet më të mëdha të demokracisë moderne. Zgjedhjet kanë mbaruar dhe pasionet janë ende të ndezura flakë, mirëpo humbësi në mënyrë të hijshme pranon mundjen, bën thirrje për bashkim të kombit dhe u kujton mbështetësve të tij se të nesërmen do të dalë përsëri dielli. Mund të jetë thjesht teatër, por është një shfaqje me një qëllim të lartë.
Gjatë pjesës më të madhe të historisë, udhëheqësit e mundur nuk kanë dhënë fjalime për pranimin e humbjes; mbase ngaqë kanë qenë të zënë duke u lutur që të vriteshin, mbreti që humbte fronin zakonisht humbte edhe kokën. “Iliada” numëron gjashtë raste kur luftëtari i mundur kërkon mëshirë dhe të gjashtë herët vritet. Romakët nuk kishin interes për të dëgjuar armiqtë e tyre të—përveç një rasti në shekullin e parë, kur një prijës britanik me emrin Karaktakus u soll i lidhur me zinxhirë përpara Senatit.
Në një çast, Perandori Klaudius i tha Karaktakusit që t’i jepte një arsye se pse duhej t’ia falte jetën. Sipas historianit Kasius Dio, britaniku i mundur mbajti një fjalim plot pasion për lavdinë e Romës dhe sa më e madhe do të bëhj kjo lavdi nëse do ta falnin: “Nëse ma falni jetën, do të jem kujtim i përjetshëm i zemërmadhësisë suaj”. Fjalimi la mbresa të mëdha dhe Senati e la të lirë.
Mbreti Çarls I nuk kishte ndonjë shpresë për mëshirë në 30 janar 1649, kur u gjend përpara ekzekutimit pas Luftës Civile Angleze. Mirëpo, kjo e bëri fjalimin e tij edhe më të fuqishëm, sepse Çarlsi po u drejtohej brezave të ardhshë më shumë sesa njeriut që po e zëvendësonte në krye të vendit: Olivier Kromuellit. Fjalët e tij të fundit kanë shërbyer si model për shumë fjalime të pranimit të humbjes në shekujt që vijuan. Pasi mbrojti veprën dhe figurën e tij, Mbreti Çarls I i kërkoi Olivier Kromuellit që “të mbronte deri në frymën e fundit paqen e mbretërisë”.
Në kohët moderne, thirrjet drejtuar kombit janë kthyer në një pjesë të rëndësishme të lamtumirave publike. Kur Napoleon Bonaparti abdikoi nga froni i Francës, në 1814, ai qendroi në kopshtin përpara pallatit në Fontenblo dhe u dha një lamtumirë emocionuese Gardës së tij të Vjetër. Ai u tha se po largohej që të shmangte një gjakderdhje shumë më të madhe dhe e mbylli me thirrjen: “Unë po shkoj, por ju, miqtë e mi, vazhdoni t’i shërbeni Francës!”
Perandori Hirohito mbajti një fjalim të ngjashëm kur shpalli nëpërmjet një radiostacioni, në 14 gusht 1945, kapitullimin e Japonisë në Luftën e Dytë Botërore. Perandori theksoi se duke zgjedhur paqen, ai po dorëzohej për hir të interesave më të mëdha të kombit. Ai u kërkoi subjekteve të tij të bënin të njëjtën gjë “për të rritur lavdinë e lindur të Shtetit Perandorak”. Fjalët e Perandorit ishin edhe më shumë tronditëse nga fakti se askush jashtë oborrit dhe kabinetit, nuk e kishte dëgjuar ndonjëherë duke folur.
Në SHBA cilësia e fjalimeve të humbjes në zgjedhjet presidenciale u rrit shumë kur filluan të transmetohen në television nga viti 1952. Me kalimin e viteve sidomos kandidatët republikanë u bënë mjeshtra të këtij zhanri duke e ngritur artin e humbjes gati në lartësi Çërçilliane. Fjalët e John McCain, natën e zgjedhjeve në 2008, kur fitoi Barack Obama mbeten të pashoqe: “Amerikanët nuk dorëzohen kurrë. Ne nuk dorëzohemi kurrë. Nuk i fshihemi historisë. Ne e shkruajmë historinë”. (Përktheu Ruben Avxhiu)