Prishtinë, 25 prill 2021 – Pjesëmarrja e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, ka shkaktuar reagime të shumta në Kosovë.
Enver Hoxhaj, ushtrues i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë se ky akti Kurtit tregon se atij “më shumë i interesojnë bashkëpartiakët atje (në Shqipëri) se sa fati i bashkëqytetarëve këtu (në Kosovë”.
Hoxhaj e ka kritikuar Kurtin dhe qeverinë e tij që ende nuk ka arritur të sigurojë asnjë vaksinë kundër COVID-19, përveç 24.000 dozave që janë siguruar nga programi COVAX.
“Albin Kurti për të satën herë po shfaqet në Shqipëri si kryeministri i Kosovës që më shumë i interesojnë bashkëpartiakët atje se fati i bashkëqytetarëve këtu. Ndërkohë Shqipëria ka arritur numrin e 400 mijë qytetarëve të vaksinuar, në Kosovë janë vetëm 20 mijë të tillë në pritje të një tjetër kontigjenti ndihmash me vaksina”, ka shkruar Hoxhaj.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, e ka cilësuar votimin e Kurtit në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri si “të pakuptimtë e të paparanueshëm”. Ai ka thënë se ky veprim i Kurtit mund të ketë pasoja për shtetin e Kosovës.
“Pjesëmarrja në votime e kryeministrit të Republikës së Kosovës në zgjedhjet parlamentare në Republikën e Shqipërisë, e pakuptimt, e papranueshme dhe me pasoja gjeopolitike dhe gjeostrategjike për shtetin e Kosovës”, ka shkruar Selmanaj në Facebook.
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) e ka cilësuar të papranueshëm votimin e Kurtit në zgjedhjet paralamentare në Shqipëri.
“Kur dikush në cilësinë e qytetarit të thjeshtë, voton në zgjedhjet e një vendi tjetër, është deri diku e pranueshme.
Por, kur qytetari është dikush që mbart pozitë politike, e madje pushtet ekzekutiv, kjo s’është aspak në rregull.
E kur qytetari rastis të jetë kryeministër, që përfaqëson edhe platformë politike për zgjedhjet në vendin tjetër, kjo e bën situatën të papranueshme”, ka shkruar Cakolli.
(r.m.)