Tiranë, 25 prill 2021 – Kryetari i Partisë Spcialiste, Edi Rama, u shpreh i përmbajtur lidhur me rezultatet e zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri.
Në një deklaratë për media, në përfundim të procesit të votimit, ai tha se “votat janë në kuti”dhe u bëri thirrje numëruesve dhe vëzhguesve që të kryejnë me përgjegjshmëri procesin e numërimit të votave.
Ai foli sërish për patronazhistët, duke thënë se ata e dinë se kush ka votuar dhe kush jo, ndërsa sa i takon sondazheve dhe exit-polleve të para, Rama u shpreh se votat janë në kuti.
“Dua t’iu them të gjithëve, në radhë të parë socialistëve, se votat janë në kuti që të gjitha. Populli ka folur, tani duhet të dëgjojmë popullin dhe detyra jonë, e cdo numëruesi dhe cdo vëzhguesi, në cdo qendër numërimi, është që me përgjegjësinë më të lartë qytetare dhe ligjore të kontribuojë për të numëruar në mënyrë korrekte votat, që janë në kuti. Hamendjet, sondazhet, exit-pollet, pavarësisht faktit që ne na japin forcë qeverisëse, përsëri i përkasin thjesht dhe vetëm parashikimeve para ndeshjes. Tani është rezultati i të gjitha kutive të votimit, që është rezultati i ndeshjes. Kështu që, ju lutem shumë të gjithëve, përqendrohuni në detyrën tuaj”, tha Rama.
Ai falënderoi posaçrisht patronazhistët e Partisë Socialiste, punën e të cilëve e cilësoi si “mbresëlënëse”.
“Një falënderim nga zemra për të gjithë patronazhistët tanë, në të gjithë territorin, që kanë bërë një punë mbresëlënëse. Ata janë që e dinë më mirë se gjithë të tjerët kush ka votuar dhe kush s’ka votuar. Duke qenë se në zonat e tyre ata janë të bindur për rezultatin e punës, unë dua të siguroj që të bindur janë edhe gjithë të tjerët në të gjitha zonat”, tha Rama.
(r.m.)