PDK propozon datat për zgjedhje të parakohshme, LDK e shpërfill propozimin

Prishtinë, 24 maj 2024 – Partia Demokratike e Kosovës (PDK) u ka propozuar tri partive kryesore parlamentare të Kosovës që zgjedhjet e parakoshme paralamentare të mbahen sa më shpejt, duke i cilësuar ato si një “domosdoshmëri qytetare”

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në një letër dërguar kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, dhe kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka theksuar se tani është koha të veprojnë bashkërisht dhe të ndërmarrin hapas konkretë për krijimin e një kuvendi funksional.

“Në takimet e fundit që i kam zhvilluar me secilin lider të këtyre partive parlamentare, kam shprehur qëndrimin se zgjedhjet sot janë një domosdoshmëri qytetare dhe jo një dëshirë politike, andaj tani është koha që të veprojmë të koordinuar dhe me hapa konkret”, ka shkruar Krasniqi

“Zgjedhjet e reja janë thelbësore për të krijuar një Kuvend funksional që është në shërbim të interesit qytetar:, ka theksuar ai.

Krasniqi ka dhënë propozimin e PDK-së që Kuvendi të shpërndahert deri më 29 maj dhe zgjedhjet e parakohshme të mbahen më 30 qershor ose më 7 korrik.

“Partia Demokratike e Kosovës ka propozuar datat 30 qershor ose 7 korrik për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme dhe për shkak të afatave ligjore dhe kushtetuese, për të arritur njërën nga këto data, mocioni procedural për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, do të duhej të votohej më së largu deri më 29 maj. Andaj, edhe sot, unë i ftoj të gjitha partitë parlamentare që të koordinohemi e të bashkëpunojmë për të mirën e qytetarëve tanë”, u ka shktuar Krasniqi Kurtit, Abdixhikut e Haradinajt.

Lidhja Demokratike e Kosovës e ka shpërfillur propozimin e Partisë Demokratike për shpërndarjen e Kuvendit deri më 29 maj. Zëdhënësi i saj, Besian Mustafa, ka thënë se LDK-ja e ka shprehur qëndrimin e saj se shpërbërja e Kuvendit duhet të bëhet pas dorëheqjes së kryeministrit Albin Kurti, të cilin ai e quan “ideator të vërtetë” të propozimit të PDK-së.

“Përgjigjen dhe qëndrimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës ia kemi kthyer tashmë ideatorit të vërtetë të kësaj nisme, kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, z. Albin Kurtit”, ka thënë Mustafa për Telegrafin.

Ai e ka përsëritur edhe një herë qëndrimin tashmë të njohur të LDK-së se më së pari duhet të japë dorëheqje kryeministri e pastaj të diskutohet për procesin zgjedhor dhe për datat e zgjedhjeve.

Qëndrim të njëjtë me LDK-në ka shprehur më parë edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe kryetari I AAK-së, Ramush Haradinaj, e kishin refuzuar ftesën e Kryeministrit Albin Kurti për një takim joformal për të diskutuar për zgjedhjet e parakohshme, ndërsa kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, i ishte përgjigjur pozitivisht ftesës. Pas takimit, Krasniqi kishte deklaruar se me Kurtin ishin pajtuar se zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë të pashmangshme në situatën në të cilat gjendet Kosova aktualisht.

(r.m.)