Një studim multidisiplinar mbi Kosovën dhe shqiptarët në kontekst të ndryshimeve gjeopolitike

Frashër DEMAJ

(Recension për librin “Gjeopolitika, territori, konflikti” të akademik Hivzi Islamit dhe profesor Arsim Ejupit)

 

Botimi “GJEOPOLITIKA, TERRITORI, KONFLIKTI”, me nëntitull “Politikat hegjemoniste, kolonialiste dhe kolonizuese serbe ndaj Kosovës dhe shqiptarëve” i autorëve akademik Hivzi Islami dhe profesor Arsim Ejupi është një studim i bazuar ne qasje multidisiplinare ndaj problemeve të gjithmbarshme që kanë preokupuar Kosovën dhe shqiptarët ndër vite. 

Ky studim është i kompletuar, i mbështetur në literaturë relevante dhe i realizuar në përputhje të plotë me metodologjitë moderne shkencore. Punimi është shumë i pasur me të dhëna dhe fakte specifike nga gjeopolitika, historia, demografia, ekonomia, sociologjia dhe fusha tjera që lidhen me konfliktet territoriale, luftërat dhe spastrimet etnike, në veçanti në Ballkan, të nxitura nga hegjemonizmi serb, nga i cili e pësoi më së shumti Kosova dhe shqiptarët.

Sipas autorëve, në vitet e 80-ta të shek. XX pushteti serb dhe organet e ish-Federatës Maqedoninë e përdornin si model dhe territor provues për represionin, ndjekjen dhe shpërnguljen e shqiptarëve, kryesisht për ta kufizuar normën e natalitetit të tyre, reduktimin e shkollimit në gjuhën shqipe dhe zhvillimin e përgjithshëm, në mënyrë që pastaj t’i zbatonin më lehtë në Kosovë! Regjimi i Millosheviqit me të gjitha mjetet u vërsul mbi themelet e jetës së shqiptarëve: përmes deportimit masiv dhe zhdukjes së dokumentacionit më 1999. Ky regjim donte ta dehumanizonte gjithë bashkësinë shqiptare dhe ta këpuste çdo lidhje juridike të shqiptarëve me truallin gjeoetnik të tyre, ta rrënonte tërësisht një etni, një kulturë dhe një shoqëri.

Për të përmbyllur harkun kohor më shumë se njëshekullor të zhvillimeve të vrullshme gjeopolitike në Ballkan dhe në veçanti në trojet shqiptare,autorët në këtë botim trajtojnë edhe “korrigjimin e kufirit” Kosovë-Serbi dhe idetë e reja (të vjetra) për shkëmbimin e territoreve dhe popullatave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Si projekte dhe ide i takojnë mendësisë së shekullit të kaluar të Serbisë hegjemoniste dhe të gjitha janë në kundërshtim të plotë me realitetin aktual, sepse rrezikojnë zhbërjen e shtetit të ri të Kosovës dhe integritetin territorial të tij.

Autorët Islami dhe Ejupi trajtojnë edhe Planin e quajtur Franko-Gjerman (versioni i parë u prezantua më 27 shkurt 2023, ndërsa ai final më 6 mars 2023) dhe platformës së zbatimit të tij, që u pranua në takimin e Ohrit më 18 mars 2023. Këto dy dokumente konsiderohen marrëveshje ndërkombëtare. “Por jo mes Kosovës dhe Serbisë. Është mes Serbisë dhe BE-së dhe Kosovës e BE-së, diçka krejtësisht e pazakontë në një proces normalizimi”. Ky fakt nënkupton se obligimet e marra janë të ndara, Serbia të vetat dhe Kosova të vetat! Disa obligime të Kosovës kanë afate, ndërsa të Serbisë sikur nuk kanë afate! Krejt çka kërkon BE dhe SHBA nga Serbia është njëfarë “distancimi” nga Rusia!

Si njohës dhe ndjekës të zhvillimeve gjeopolitike në kontekstin historik dhe aktual, në përmasa rajonale dhe kontinentale, autorët nuk lënë anash pa përmendur as zhvillimet më të fundit pas agresionit rus në Ukrainë më 24 shkurt 2022, që ndikuan në raportet SHBA-Rusi, BE-Rusi, Lindje-Perëndim, sikundër që ndryshoi edhe rendi botëror dhe raportet në përmasa planetare. Me këtë plan fashist të Rusisë po nis një fazë e re e “neosovijetizimit” të Rusisë apo një  epokë e re gjeopolitike si “Luftë e Re e Ftoftë”, me një Stalin të ri apo Hitler të ri; bota nuk është më ajo që ishte! Autorët bëjnë një anologji dhe tërheqin një paralele midis Hitlerit të Gjermanisë naciste dhe Putinit të Rusisë agresore, me një dallim se Putini posedon armë bërthamore, me të cilat po e kërcënon gjithë planetin, por frikën më të madhe e mbolli te ish-republikat e BRSS-së. Por as Perëndimi dhe NATO nuk kishin reagime të fuqishme kur Rusia e pushtoi Krimenë në vitin 2014! Reagimet dhe mbështetja ushtarake dhe humanitare për Ukrainën erdhën vetëm pas 24 shkurtit 2022, kur dolen sheshazi ambiciet ruse të Putinit.

Një aspekt tjetër i veçantë i këtij studimi janë edhe paradigmat “Bota serbe” dhe “Bota ruse”, të cilat janë eufemizma për realizimin e qëllimeve ekspansioniste të të dyja shteteve në hapësirat ku sundonin dikur: të Rusisë në hapësirën e dikurshme sovjetike dhe të Serbisë në hapësirën e ish-Jugosllavisë dhe rajonin e Ballkanit. Siç vënë në pah autorët këto janë politika retrograde. Kjo vërehet  në rajon, ku  Serbia tenton ta sundojë Malin e Zi, Bosnje Hercegovinën, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut. Dhe fatkeqësisht, kjo politikë ende nuk ka marrë përgjigje adekuate nga fuqitë perëndimore.

Në vazhdim autorët tërheqin vërejtjen mbi rrezikun e dëmtimit të raporteve miqësore të Kosovës me aleatët, në veçanti me SHBA-në. Në këtë kontekst zënë në gojë Dobrica Qosiqin, i cili thoshte se “Kosova nuk kthehet me luftë. E vetmja mënyrë për ta kthyer Kosovën është kur klima antiamerikane zë rrënjë në Kosovë. Kur shqiptarët ndjehen të vetëmjaftueshëm dhe nacionalizmi për të mbajtur e ruajtur pushtet del para strategjisë amerikane e evropiane. Shërbimet tona duhet të punojnë në Kosovë e ta ndërtojnë një imazh që e imiton nacionalizmin e verbër të Millosheviqit. Kur të vie ai moment, atëherë ngjallet shpresa serbe”!

Disa nga problemet shumë komplekse të cilat i trajtojnë autorët e këtij botimi janë edhe kufijtë dhe konfliktet territoriale dhe politikat hegjemoniste, kolonialiste dhe kolonizuese serbe ndaj Kosovës dhe trojeve tjera etnike, si në Ballkani si “fuçi baruti” dhe paaftësia e “Kontinentin Plak” për zgjidhjen e problemeve në truallin e vet.

Çështja e kufijve trajtohet në përgjithësi dhe në hapësirat konkrete, sikurse është p.sh. kufiri midis Kosovës dhe vendeve fqinje, në veçanti me Serbinë, përfshirë debatet rreth shkëmbimit të territoreve midis saj dhe Serbisë dhe procesit të demarkimit të kufirit midis Kosovës Malit të Zi.  Tema e demarkacionit nisi dhe mbeti një kauzë e rrejshme e disa grupacioneve politike shqiptare të Kosovës dhe kufiri Kosovë – Mali i Zi mbeti aty ku ishte vijëzuar para 15 shkurtit 1947. Për moszgjidhjen e këtij problemi çmimin e paguan qytetarët e Kosovës, të cilët mbetën të izoluar në lëvizjen e lirë në hapësirën e BE-së! Liberalizimi faktik i qytetarëve të Kosovës ndodhi vetëm nga 1 janari 2024!

Tema në vete që trajtohen në këtë studim janë demopolitika dhe gjeopolitika; Kosova në rrjedhat gjeopolitike dhe gjeopopullative vështruar në prizmin historik dhe etnik; konteksti i ndërlikuar i një lufte mirë të përgatitur përmes të ashtuquajturit “Front i Jugut” në fillim të viteve të 90-ta; pastaj migrimet e jashtme dhe konteksti gjeohapësinor dhe gjeopolitik etj. Një pjesë e librit i kushtohet ujit si burim i konflikteve dhe mosmarrëveshjeve, si dhe bashkëpunimit ndërkufitar të Luginës së Preshevës (përparësitë dhe problemet gjeopolitike), si dhe mbrojtja ndërkufitare e natyrës në funksion të arritjes dhe mirëmbajtjes së paqes.

Në shtojcë jepen pjesë të zgjedhura të tri dokumenteve në bazë të të cilave mund të kuptohet rikonfigurimi dhe ristrukturimi gjeopolitik i hapësirës ballkanike, europiane dhe botërore pas Luftës I Botërore dhe Konferencës së Versajës (1919): njëri që nxiti luftëra në baza etnike dhe solli gjakderdhje masive (“Memorandumi” i SANU-së, 1986); teksti i dytë në formë të konkluzave nga libri i njohur i autores Margaret Macmillan, Six Months that Changed the World, New York, 2001 (“Paris, 1919 – Gjashtë muaj që ndryshuan botën”, Tiranë, 2006), si dhe i treti që ka të bëjë me “Katërmbëdhjetë pikat” e njohura të Presidentit të SHBA-së, Woodro Wilsonit në Konferencën e Paqes në Versajes (1919). Shtojcës i bashkëngjitet edhe një tekstdokument në original i vitit 1940 për Kosovën, i hartuar nga Mosha Pijade (1890-1957), si njeri i katërt në kierarkinë shtetërore të ish-Jugosllavisë. Pijade theksonte se zgjidhja e lëvizjes nacionale në Kosovë “mund të arrihet duke formuar Republikën e Lirë Fshatare-Punëtore të Kosovës përmes rrëzimit revolucionar të regjimit fashist dhe imperialist serbomadh”. Dhe krejt në fund jepet një pasqyrë e literaturës e burimeve, një rezyme në anglisht dhe indeksi i emrave.  

 

Prishtinë 22.5.2024