Tiranë, 11 qershor 2024 – Elhaida Dani, një nga këngëtaret më të suksesshme të muzikës së lehtë shqiptare, rikthehet në skenën e festivalit të RTSH këtë vit, por jo si konkurrente.
Elhaida do të jetë drejtoreshë artistike e Festivalit 63 të Këngës në Radiotelevizionin Shqiptar, një bashkëpunim që pritet të zgjasë më shumë se një vit.
Emërimi i saj në këtë post shumë të rëndësishëm për eventin muzikor që organizohet nga RTSH çdo fundvit, u bë nga drejtori i Përgjithshëm i RTSH-së, Alfred Peza.
“Ardhja e Elhaidës është një lajm i gëzuar për mua, stafin dhe mbarë opionionin publik, sepse do të jetë një vlerë e shtuar për festivalin, duke pasur parasysh karrirën e saj të jashtëzakonshme dhe fitoret e saj në shumë kompeticione muzikore. Me të do të punojë edhe Bojken Lako, që ishte drejtor i Festivalit të 62-së, i cili e ka bërë njërin nga festivalet më mira që ka bërë RTSH”, tha Peza.
Artistja Elhaida Dani, fituese e shumë kompeticioneve muzikore brenda dhe jashtë vendit, u shpreh entuziaste për detyrën e re. Ajo tha se do të përcjellë gjithë përvojën e saj personale dhe profesionale në festivalin e 63-të të këngës, për të cilin tashmë ka nisur puna.
“Është një kënaqësi dhe përgjegjësi e madhe. Kam lindur dhe jam rritur në Fetstivalin e RTSH-së, dhe falë këtij festivali kam shkelur edhe në skenën e Eurovizonit. E di se çfarë do të thotë për artistët shqiptarë ky festival. E di rëndësinë. Do të jap më të mirën time në këtë festival, por edhe në ato të ardhshmet. Është mundësi e artë për t’i treguar edhe vlerat më të mira të Shqipërisë. Po synojmë të zgjedhim një skuadër sa më profesioniste, sa më serioze, për të bërë një punë të madhe për këtë festival dhe ato të ardhshmet”, tha Dani.
(RTSH)