Prishtinë, 12 qershor 2024 – Shtatorja e ish-kryeministrit britanik, Tony Blair, u zbulua në Ferizaj, të mërkurën, në 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës, në shenjë mirënjohjeje për mbështetjen që ka dhënë ai për lirinë e Kosovës.
Kryetari i komunës së Ferizajt, Agim Aliu, tha se Kosova nuk ishte vetëm para 25 vjetësh. Ai e vlerësoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Britanisë së Madhe e të aleratëve të Perëndimit për çlirimin e Kosovës.
Aliu tha se ish-kryeministri britanik, Tony Blair, ishte në rreshtin e parë të mbështetësve të ndërhyrjes së NATO-s për vendosjen e paqes në Kosovë, prandaj shtatorja që i është ngritur në Kosovë është shprehje e nderimit dhe respektit që gëzon ai në Kosovë.
Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, përcolli përshëndetjet e ish-kryeministrit Blair, duke shprehur keqardhje që nuk ka mundur të marrë pjesë në këtë ceremoni. Hargreaves tregoi se z. Blair ka thënë se ndihet i nderuar që qytetarët e Kosovës e vlerësojnë angazhimi i tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Ambasadori britanik citoi vlerësimet e ish-kryeministrit Blair se “Kosova ka bërë përparim të jashtëzakonshëm gjatë këtyre 25 vjetëve”. Ai theksoi se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në rrugën e zhvillimit e transformimit të mëtejmë.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ndër të tjera, tha se Tony Blair ka qenë ndër të parët që i ishte përgjigjur thirrjes së popullit të Kosovës për ndihmë. Ai theksoi se z. Blair ka qenë ndër liderët më të përkushtuar për lirinë dhe demokracinë në Kosovë.
Drejtori i fondacionit “Ne e kujtojmë Tony Blairin”, Bashkim Fazliu, i cili ishte ideator I ngreitjes së shtatores, tha se kjo vepër artistike është fryt i kujtesës së popullit të Kosovës për kontributin që ka dhënë Blair për çlirimin e vendit.
“Në kohën kur okupatori serb po kryente pastrim etnik në Kosovë, Tony Blair nuk qëndroi duarkryq. Ai veproi fuqishëm për lirinë e shtetit tonë, prandaj populli ynë do t’i jetë përjetësisht falënderues”, u shpreh ai.
Shtatorja e Tony Blairit, vepër e skulptorit Agon Qosa, është vendosur në sheshin “Tony Blair”, pranë “Sheshit të Dëshmorëve”.
(r.m.)