Walker: Meritat më të mëdha për arritjet në Kosovë i takojnë popullit të saj

Prishtinë, 13 qershor 2024 – Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së gjatë luftës në Kosovë, ambasadori William Walker, është takuar sot (e enjte) me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Ambasadori Walker ka thënë se me Kurtin, sikurse edhe me zyrtarë të tjerë të Kosovës, është takuar “si mik i Kosovës, si mik i kryeministrit Kurti”.

“Sapo pata një takim për më shumë se një orë me kryeministrin dhe ishte takim shumë i mirë dhe shumë produktiv. Nuk përdori kod të veshjes kur takoj kryeministria, do të duhej të kisha veshje zyrtare me kravatë. Gjatë dy ditëve të fundit kisha takime të shumta dhe tani e kisha veshjen time të stilit të Kalifornisë, sepse erdha këtu, si mik i Kosovës, si mik i kryeministrit Kurti”, ka thënë ai.

Ambasadori Walker i ka vlerësuar lart të arrikturat e Kosovës prej çlirimit e këndej, duke theksuar se meritat më të mëdha për këtë u takojnë qytetarëve të Kosovës, si edhe qeverive të saj. Ai e ka vlerësuar posaçërisht policinë e Kosovës.

“Dje, e di se u folën shumë fjalë, duke ia dhënë meritat NATO-s, duke ua dhënë meritat disa prej akterëve të tjerë ndërkombëtarë që ishin këtu. Mendoj që meritat kryesore u takojnë kosovarëve për atë që kanë bërë deri më tani, si kryeministrit Kurti dhe kryeministrave tjerë të kaluar, e po ashtu edhe forcave policore. Nuk mendoj se e dini sikurse unë çfarë forcash policore të mira keni. Edhe në Amerikë kemi policë të mirë, disa po e disa më ndryshe, por ju në Kosovë keni një polici të shkëlqyer”, ka thënë ambasadori Walker.

This image has an empty alt attribute; its file name is William-Walker-e-Albin-Kurti-1.jpg

Zyra e Kryeministrit bëri të ditur se Kurti e ka vlerësuar punën e Misionit Verifikues të OSBE-së që dokumentoi krimet që po i kryente Serbia ndaj popullit të Kosovës prej tetorit 1998 deri në mars 1999. Ai ka theksuar se raportimet nga terreni të këtij misioni ishin thelbësore për ta nxjerrë në dritë të vërtetën për Kosovën dhe për të siguruar mbështetjen ndërkombëtare për ndërhyrjen e NATO-s.

Kryeministri Kurti ka shprehur mirënjohje të thella për ambasadorin Walker, i cili ka hyrë në histori si dëshmitari kryesor i masakrave të forcave ushtarake e policore të Serbisë në Kosovë. 

(r.m.)