Diskrecioni i Prokurorisë në Gjykatën e Emigracionit

Çështje të Emigracionit: Nga Avokati Kieran Both

Avokati Kieran Both

Pyetje nga lexuesi:

Avokati im më tha se prokurori ka thënë që aplikimi im është i dobët. Prokurori ka ofruar ta pushojë çështjen time që të mos ketë seancë dëgjimore duke e quajtur këtë gjë “diskrecion i prokurorisë”.  Çfarë do të thotë kjo?  A do të më japin dokumente ligjore dhe a do të kem leje të punoj?

Faleminderit,

BDR

Ridgefield, Connecticut

Çfarë është Diskrecioni i Prokurorisë?

Diskrecioni i Prokurorisë (PD) është pushteti që ka qeveria për të vendosur për mënyrën se si do të zbatohet ligji në rastin e një personi të caktuar. Në rastet e çështjeve të emigracionit, diçka e tillë mund të ndodhë në momente të ndryshme të procesimit të çështjes së një personi të caktuar si dhe në mënyra të ndryshme. Për shembull, Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS) mund të zgjedhë të mos e çojë fare në gjykatë një çështje emigracioni. Avokatët e ICE-it (agjencia federale amerikane që merret me zbatimin e ligjeve të emigracionit dhe kontrollin e doganave) mund të ndalojnë ose vonojnë një çështje gjyqësore, të bien dakord, për fakte të caktuara, me avokatin që përfaqëson emigrantin, të sugjerojnë që kërkesa apo aplikimi i paraqitur nga emigranti duhet të pranohet, ose të zgjedhin të mos apelojnë një vendim gjyqësor. Madje, nëse duan, ata mund të vendosin të rihapin një çështje të mbyllur emigracioni. ICE-i ka gjithashtu fuqinë për të vendosur se kë të arrestojë, kë të mbajë në paraburgim apo kë të lejojë të lirohet derisa të merret një vendim përfundimtar për çështjen.

Në rastin e lexuesit tonë, diskrecioni i prokurorisë është një thikë me dy presa. Nga njëra anë, nëse lexuesi ynë pranon PD-në për pushim të çështjes, ai, nëse gjyqtari ia hedh poshtë aplikimin, nuk do të përballet me rrezikun e menjëhershëm të dëbimit. Nga ana tjetër, nëse ka pushim të çështjes, ai nuk do të mund të rinovojë më autorizimin për punësim. Gjithashtu, nuk do të ketë status të vlefshëm emigrimi dhe nëse DHS-ja dëshiron ta dëbojë (deportojë), mund ta fillojë çështjen nga e para. Megjithatë, egziston mundësia që lexuesi ynë të paraqesë përsëri aplikimin e tij dhe të fillojë procesin nga e para. Më pas, ai mund të kualifikohet për autorizim punësimi pa rrezikuar të deportohet, përveçse nëse gjykatësi, në një të ardhme, ia hedh poshtë aplikimin. Kjo mund të kërkojë shumë vite pasi ka një numër jashtëzakonisht të madh çështjes të prapambetura që presin shqyrtim.

Në rastet kur qeveria mendon të ushtrojë diskrecion prokurorial, ajo e trajton secilin nga rastet veç e veç. Qeveria ka hartuar rregulla të shkruara për të ndihmuar DHS-në të vendosë se kur të ushtrojë diskrecion prokurorial. Sipas këtyre rregullave, ekzistojnë dy lloj rastesh: jo prioritare dhe prioritare. Rastet jo prioritare nuk janë të parat në listën e rasteve që ka qeveria për zbatimin e ligjit dhe mund të kualifikohen për PD. Në rastet prioritare përfshihen njerëz që konsiderohen rrezik për sigurinë kombëtare, sigurinë publike ose atë kufitare (si rasti i atyre që hynë në Shtetet e Bashkuara pa leje pas 1 nëntorit, 2020). Këto raste ka të ngjarë të mos  kualifikohen për diskrecion të prokurorisë.

 Qeveria merr parasysh të gjithë faktorët përpara se të vendosë, mes të cilëve:

• Moshën, sidomos në rastet kur personi është i ri ose i moshuar

• Kohën e qëndrimit në Shtetet e Bashkuara 

• Nëse personi është viktimë e aktivitetit kriminal apo dëshmitar, bashkëpunëtor me forcat e rendit

• Mundësinë e kualifikimit për benefit nga Emigracioni

• Shërbimin ushtarak

• Nëse personi është rezident i ligjshëm i përhershëm

• Nëse personi është shtatzënë, apo sapo ka lindur dhe është në periudhën e gjidhënies

• Ka fëmijë ose bashkëshort/e nënshtetas/e amerikane 

• Probleme të rënda shëndetësore

• Faktorë të tjerë imponues të një natyre humanitare

Nëse besoni se ju takon të përfitoni nga diskrecioni i prokurorisë, duhet të flisni me një avokat emigracioni për të vlerësuar të gjitha alternativat e mundshme. Një avokat ka të ngjarë t’ju kërkojë të mblidhni dokumente dhe informacione për të mbështetur kërkesën për diskrecion nga ana e prokurorisë. Këto dokumente mund të jenë si vijon:

• Certifikatat e lindjes së të gjithë fëmijëve, veçanërisht të fëmijëve që janë nënshtetas amerikanë

• Deklarata të lëshuara nën betim nga miq, të afërm, kolegë dhe anëtarë të tjerë të komunitetit ku jetoni, ku flitet për karakterin tuaj të lartë moral.

• Letra mbështetjeje nga udhëheqësit fetarë

• Letra mbështetjeje nga punëdhënësit aktualë dhe/ose të mëparshëm

• Prova që keni kryer punë vullnetare ose shërbime të tjera në të mirën e komunitetit

• Prova të arsimimit në Shtetet e Bashkuara

Për më shumë informacion lidhur me diskrecionin e prokurorisë mund t’i drejtoheni faqes në internet të vënë në dispozicion nga ICE-i në adresën: https://www.ice.gov/ about-ice/opla/prosecutorial-discretion.  

Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]