Ukraina e refuzon ofertën e Putinit për armëpushim me kushte

Borgo Egnazia (Itali) 14 qershor 2024 – Ukraina refuzoi ofertën e Rusisë për armëpushim me kushte, raporton Radio Evropa e Lirë.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha të premten se nuk mund t’i besohet ofertës së presidentit rus për armëpushim.

Zelensky, duke folur për median italiane Sky TG24, në margjina të samitit të G7-ës, tha se beson se Putini nuk do ta ndalte ofensivën e tij ushtarake edhe nëse do të përmbusheshin kërkesat e tij për armëpushim.

Presidenti rus tha të premten se ai do të urdhërojë “menjëherë” armëpushim në Ukrainë dhe fillim të bisedimeve, nëse Kievi fillon t’i tërheqë trupat nga katër rajonet e aneksuara nga Moska në vitin 2022, të heqë dorë nga kërkesa për t’iu bashkuar NATO-s, të pranojë statusin e vendit jobërthamor, të kufizojë forcat e saj ushtarake dhe të mbrojë interesat e rusëve që jetojnë në Ukrainë.

Kremlini ka thënë edhe më parë se Ukraina duhet t’i njohë rajonet e uzurpuara nga Rusia dhe ta tërheqë kërkesën për anëtarësim në NATO.

Presidenti rus e bëri këtë propozim në kohën që në Itali po mbahet samiti i liderëve të shtatë vendeve më të industrializuara të botës, G7, dhe në prag të samitit për paqe në Ukrainë që do të mbahet në Zvicër. Në këtë samit, që do të mbahet këtë fundjavë, do të marrin pjesë liderë nga gjithë bota, me përjashtim të Rusisë. Aty do të diskutohet për hapat e parë drejt arritjes së paqes në Ukrainë.

(r.m.)