DASH: Synimi i SHBA-së është njohja reciproke mes Kosovës e Serbisë

Uashington, 14 qershor 2024 – Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) ka thënë se normalizimi i marrëdhënieve është i vetmi opsion i Kosovës dhe i Serbisë për integrimin e tyre në institucioneve evropiane. DASH ka thënë se pret që Kosova dhe Serbia t’i zbatojnë të gjitha zotimet e marra gjatë dialogut, pa vonesa dhe pa parakushte.

“E ardhmja e të dyja shteteve është në institucionet evropiane; normalizimi i marrëdhënieve të tyre përmes procesit të lehtësuar nga BE-ja është e vetmja rrugë përpara. Ne presim që Kosova dhe Serbia të zbatojnë të gjitha zotimet e tyre nga dialogu, plotësisht dhe pa vonesë apo parakushte”, ka thënë një zëdhënës i DASH-it për KOHËN.

Zëdhënësi ka thënë se në planin afatgjatë SHBA synon “njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë”.

Kjo deklaratë e Uashingtonit zyrtar vjen pas deklaratës së ambasadorit amerikan në Serbi, Christopher Hill, se nuk mendon që Serbia duhet ta njohë Kosovën për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian.

Bashkimi Evropian dhe Gjermania, nw reagimet e tyre lidhur me deklaratën e ambasadorit amerikan në Beograd, kanë thënë se Serbia nuk do të pranohet në Bashkimin Evropian pa normalizim të plotë të marrëdhënieve me Kosovën.

(r.m.)