Presidentja Osmani udhëtoi për në Zvicër, do të marrë pjesë në Samitin për Ukrainën

Prishtinë, 14 qershor 2024 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar të premten për në Zvicër, ku do ta përfaqësojë Kosovën në Samitin e nivelit të lartë të Paqes për Ukrainë, me ftesë të Presidentes së Konfederatës së Zvicrës, Viola Amherd.

Samiti i nivelit të lartë, i cili do t’i mbledhë liderët e rreth 90 vendeve dhe organizatave ndërkombëtare për të diskutuar rëndësinë dhe mënyrat e vazhdimit të mbështetjes për Ukrainën, do të përqendrohet edhe në rëndësinë kritike të arritjes së paqes në Ukrainë.

Ndër të tjerë, në samit pritet të marrin pjesë edhe Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz.

Presidenca e Kosovës njoftoi se Presidentja Osmani “do ta riafirmojë përkushtimin e Republikës së Kosovës për ta vazhduar mbështetjen për Ukrainën deri në fitore, si dhe do të flasë për rëndësinë e mbështetjes gjithëpërfshirëse globale për t’u arritur paqe afatgjate dhe e qëndrueshme”.

Gjatë qëndrimit në Zvicër, Presidentja Osmani do të zhvillojë edhe takime bilaterale me liderë të tjerë botërorë.

(r.m.)