Prishtinë, 14 qershor 2024 – Policia e Kosovës prezantoi të premten sasi të konsiderueshme armatimi, të zbuluar e konfiskuar gjatë një operacioni të kryer gjatë ditës në katër lokacione në pjesën veriore të Mitrovicës.
Në lokacionin e parë janë gjetur: tri armë të gjata AK-47, katër karikatorë me 60 fishekë, një krehër me 11 fishekë, një këllëf revoleje, një çantë ushtarake.
Në lokacionin e dytë janë gjetur: një rrip brezi me 25 fishekë për armë gjuetie, 23 fishekë për armë gjuetie, pistoletë TT me një karikator me tetë fishekë, tre karikatorë me nga tetë fishekë, dy karikatorë në fotrollë, 28 fishekë për armë të gjata, 10 krehër me fishekë të armës së gjatë (99 fishekë), një kuti me fishekë 7×62, katër pastruese të armës, kuti me lëndë të dyshimtë.
Në lokacionin e tretë janë gjetur armë e gjatë me bajonetë, një pistoletë me dy karikatorë me nga tetë fishekë 7×62 dhe një fotrollë, çantë e zezë me pajisje për pastrim të armës, dy kuti me nga 50 fishekë 7×62, tre karikatorë me fotrolla me nga tetë fishekë, armë e gjatë gjuetie me çantë.
Në lokacionin e katërt janë gjetur iriq metalik, jelek i brendshëm antiplumb, 30 copë mjet i dyshuari eksploziv TM 100, një uniformë, çantë e zezë me pajisje të ndihmës së parë dhe adapter për radiolidhje.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, bëri të ditur se armët janë gjetur në prona që lidhen me Marjan Radojeviqin dhe Zharko Cvetkoviqin, në lagjen “Tre Rokaqiejt” dhe në rrugën “Qeta e Minatorëve”.
Radojeviqi e Cvetkoviqi janë në listën e pertsonave në kërkim lidhur me sulmin terrorist në Banjskë, më 24 shtator 2023.
Elshani nioftoi se Policia, në bashkëpunim me AKI-në, ka arritur të identifikojë disa lokacione ku është fshehur armatimi i ish-pjesëtarëve të strukturës parlalele serbe “Mbrojtja Civile”, disa prej të cilëve kanë qenë pjesë e grupit të armatosur që e kreu sulmin terrorist në Banjskë, më 24 shtator 2023.
Fotografi të armatimit të konfiskuar të premten ka publokuar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
“Sërish armë, eksplozivë e municion i konfiskuar në veri të vendit dhe kjo falë vigjilencës së shtuar të institucioneve tona dhe vendosmërisë për asgjësimin e secilit element kriminal dhe tendencës destabilizuese që vjen nga Beogradi.
Bashkërendimi mes institucioneve të sigurisë dhe rritja gjithnjë e më shumë e bashkëpunimit me qytetarët në veri të vendit është garancë e mosndalimit në betejën tonë për shtet të së drejtës ku rendi dhe ligji mbizotërojnë mbi krimin e terrorizmin”, ka shkruar ai.
(r.m.)