Historia e shtrembëruar nuk mund të jetë mësuese e mirë e jetës
Nga dr. Sadik Elshani
Është për t’u habitur e duket si diçka e pakuptimtë kur lexon e dëgjon se një pjesë e mirë e shqiptarëve ende flasin me adhurim për regjimin komunist. Habia është edhe më e madhe kur e dëgjon këtë edhe pas më shumë se 30 viteve nga rënja e komunizmit në Shqipëri. E dëgjon këtë edhe nga një pjesës e mirë e shqiptarëve që me vite të tëra jetojnë në ShBA dhe vende të tjera përendimore, të cilët e shohin me sytë e tyre sesi funksionojnë shoqëritë demokratike dhe vlerat njerëzore që ato i rrezaojnë. Jetojnë në këto vende dhe i gëzojnë privilegjet që këto vende i ofrojnë, por ata mendjen dhe zemrën e kanë te një periudhë e errët e historisë së kombit tonë – periudhës komuniste. Mundohen ta arsyetojnë përkrahjen e tyre për regjimin komunist duke i radhitur disa të arritura: ndërtimi i hidrocentraleve, ndërtimi i hekurudhave, shëndetësia, arsimi, etj. Wshtë e kuptueshme që kur një regjim rri në pushtet për afro 50 vite diçka duhet të ndërtohet, se ndryshe nuk mund të ekzistonte. Në rastin e Shqipërisë shumica e ndërtimeve janë bëre me ndihmën e Jugosllavisë në fillim e pastaj me ndihmën e Bashkimit Sovjetik e Kinës. Kur u prishën këto marrëdhënie, që më mirë mos të kishin ekzistuar fare, regjimi komunist nuk mund t’i përballonte sfidat e shumta ekonomike dhe ai regjim u shemb, falimentoi. Edhe nëse është bërë ndonjë gjë e mirë, është bërë duke e paguar një çmim të madh: zhdukjen e lirisë së njeriut, eliminimin e elitës intelektuale,arrestimet, burgosjet, internimet, pushkatimet që nuk u ndalen kurrë deri në grahmat e fundit të atij regjimi çnjerëzor. Regjim që u fundos nga pesha e rëndë e krimit, paaftësisë, injorancës – regjim që u mposhtë nga populli më i molisur i kontinentit evropian. Një e keqe i hijëson, i mbulon të gjitha të mirat, e në Shqipëri në atë kohë kanë ndodhur shumë të këqia. Nga të mirat nuk përmbyset asnjë regjim. Nëse qenka jetuar mirë në atë regjim, atëherë përse shqiptarët e shporrën atë?! Wshtë shkruar mjaft për atë periudhë dhe këtu nuk do të ndalemi më tepër, janë dokumentuar mirë çmenduritë e asaj kohe. Zbehtësinë e këtyre “përparimeve” bukur e ka paraqitur Visar Zhiti në romanin e tij, “Këpuca e aktorit” (Tiranë, 2022, f. 130): “Me fitoren e tyre, vërtet punojnë të gjithë, mbase edhe bukë kanë të gjithë, por nuk janë të lirë, nuk kanë as vetet e tyre. Atdheu duket i mbyllur forcërisht…si një teatër absurd, ku të zihet fryma e ti je i detyruar të shohësh të njejtën skenë, të njejtën komedi. Që vetëm duke u bërë aktor mund të përballohet. Xhaxhai më fliste për ndryshime të mëdha, punohen tokat kudo, bëhen ndërtime, rrugë, shkolla, spitale, hidrocentrale, shpesh më dukej se donte t’ia thoshte vetes me zë, që ta dëgjonin të tjerë, dakord, s’isha kundër, doja t’u gëzohesha edhe unë, por mjaftonte të shikoja sytë e trishtuar të nënës time, atë buzëqeshje të venitur që të rrënoheshin të gjitha…”.
As për lotin e një fëmije
Diçka të ngjashme më tha edhe një koleg rus. Në mesin e viteve të 90-ta të shekullit të kaluar kur po punoja në Departamentin e Kimisë në Universitetin e Idahos, në grupin e profesorit me të cilin punoja erdhi një koleg rus nga Universiteti i Moskës. (Për kurreshtjen e lexuesit, edhe qyteti ku ndodhej universiteti quhej Moscoë – Moska. Dhe këtë bashkëpunim e quanin: nga Moska në Moskë.). Ai ishte një djalë i qetë dhe me të bisedoja edhe rusisht, sepse anglishtja e tij nuk ishte aq e mirë. Bisedonim shpesh edhe për gjendjen në Rusi, vitet e sistemit sovjetik, etj. Më interesonte të dija se çfarë qëndrimi kishte për sistemin komunist të ish-Bashkimit Sovjetik dhe si do ta karakterizonte atë periudhë. Nuk doja ta pyesja në mënyrë direkte për të mos e vënë në ndonjë pozitë të pakëndshme apo provokuese, prandaj provova pak më ndryshe, në një mënyrë të tërthortë dhe iu drejtova: Trofim, po Bashkimi Sovjetik ka arritur edhe suksese, ndërsa ai menjëherë m’u përgjigj: Sadik, nuk ia vlen as për lotin e një fëmije. Kështu, fare qart e në një mënyrë mjaft domethënëse më tha një koleg rus që ai vetë, babai i tij, e me siguri edhe gjyshi i tij ishin lindur e rritur në vendlindjen e bolshevizmit. E në Shqipëri sa lot janë derdhur, sa gjak është derdhur, sa jetëra njerëzish e familje janë shkatërruar, sa njerëzve të pafajshëm as varri ende nuk u dihet! E dikush ende sot e mbron atë regjim se paskan bërë këtë e atë. Të gjitha kanë mundur të bëhen pa shkatërrimin, terrorizmin e një populli të tërë (përveç atyre të privilegjuarëve të atij regjimi). Diku në një shkrim lexova edhe një thënie të ngjashme nga F. M. Dostojevski (1821 – 1881): “Madje as lumturia më e madhe e botës nuk do t’ia vlente çmimin e një loti në faqet e një fëmije të pafajshëm”.
Shembuj të guximit intelektual
Ndoshta mund të kuptohet heshtja në kohën e diktaturës, sepse për një fjalë goje rrezikohej jeta, familja, madje edhe farefisi i gjërë. Por, sot në liri e demokraci ende të mbrohen krimet e komunizmit?! Edhe gjatë diktaturës ka patur mjaft njerëz të guximshëm që e kundërshtuan diktaturën dhe vetë diktatorin, duke e fliuar edhe jetën e tyre. Të kujtojmë shkencëtaren e parë shqiptare, Sebiha Kasimati, që me mjaft guxim u ballafaqua me diktatorin: “Kam ardhur të të them se ti po vret gjithë intelektualët. Dua të të pyes se, me cilët ke ndërmend ta ndërtosh Shqipërinë, me teneqexhinjtë apo me kepucëtarët?!” Dihet fati tragjik i Sebiha kasimatit – u pushkatua në vitin 1951. “Po të më jepni një top, do të qëlloja mbi regjimn tuaj” – ishin fjalët e fundit të poetit të talentuar e atdhetar, Trifon Xhaxhika, para trupit gjykues, inkuizitorëve të tij. Edhe Trifoni u pushkatua ne vitin 1963, në moshën 31 vjeçare.
Historia e shtrembëruar nuk mund të jetë mësuese e mirë
Gjatë historisë së tyre shumë gjëra të tmerrshme, çnjerëzore u kanë ndodhur edhe disa popujve e vendeve të qytetëruara e të përparuara. Të kujtojmë këtu Gjermaninë Naciste e Italinë Fashiste. Por, këto vende janë ballafaquar me të kaluarën e tyre, i kanë pranuar, dënuar e gjykuar gabimet, krimet e tyre të tmerrshme. E kanë hequr atë gur të rëndë nga qafa e ndërgjegjes së tyre kombëtare dhe sot Gjermania e Italia janë bërë forca motorike e zhvillimit demokratik e ekonomik të Bashkimit Europian. Po në Shqipëri? Ende nuk janë pranuar e dënuar krimet e komunizmit në mënyrë institucionale e shtetërore. Ende paraqiten në publik simbolet e komunizmit. Disa historianë tanë në vend se të merren me studimin e asja periudhe, t’i analizojnë me vërtetësi e saktësi shkencore ato ngjarje, ata nëpër studio televizive e mbrojnë atë regjim. Akademikët rumunë e kanë bërë një studim kritik për regjimin komunist në vendin e tyre. Gjërat studiohen me një sy kritik e me gjykime të shëndosha, që të mos përsëriten më. Nga historianët e deridjeshëm, vegla të regjimit të kaluar, nuk mund të pritet një studim historik objektiv. Madje edhe vetë Ramiz Alia, udhëheqësi i fundit komunist e tha në një intervistë se nuk mund ta rishkruajnë historinë ata që vetë e kanë shkruar me parë.Na duhen studiues të rinj të përgatitur nëpër universitetet përendimore e të liruar nga çdo bagazh i së kaluarës. Derisa të mos dënohen krimet e komunizmit do të jemi një popull me ndërgjegje të vrarë dhe kjo gjithmonë do të jetë një pengesë për të ecur përpara. Historia e shtrembëruar kurrë nuk mund të jetë mësuese e mirë e jetës.
Philadelphia, më 10 qershor 2024