Gërxhaliu: Gërmimet në Kizhevak do të rinisin më 5 maj

Prishtinë, 27 prill 2021 – Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, Arsim Gërxhaliu, ka thënë se gërmimet për gjetjen e mbetjeve mortore në Kizhevak të Serbisë, do të rinisin më 5 maj.

“Të premten e kaluar, bazuar edhe në vendimet e marra në takimin e grupit punues për çështjen e të pagjeturve, , të mbajtur para dy jave, në Beograd,  ekspertët do të bëjnë kontrollimin e terrenit dhe mundësinë e rifillimit të punës në terren. Gjatë vizitës, kemi parë se terreni ishte ende i vështirë, në një lartësi të madhe mbidetare. Ai është në afërsi të qendrës së skijmit. Na nevojitet edhe një drenim i ujit, për t’u tharë dheu i hedhur nga miniera. Duke marrë parasysh festat, u pajtuam që puna të fillojë më 5 maj, kur do të fillojmë me dekonzervimin e terrenit, të cilin e kemi kryer në dhjetor të vitit të kaluar”, ka thënë Gërxhaliu,në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Gërxhaliu ka thënë se gërmimet pritet të zgjasin së paku 15 ditë.

” Punimet do të zgjasin minimum 15 ditë. Do të thotë, dy javë, deri në 20 ditë, varësisht nga problemet që mund të dalin gjatë punës. Në terren nuk përjashtohen mundësitë e shfaqjes së problemeve të ndryshme”, ka thënë ai.

Gërxhaliu ka theksuar se procesi i gaërmimeve varet më së shumti nga kushtet atmosferike. 

“Të premten, kur ishim atje, ishte e pamundur të punohej, për shkak të baltës, e cila është një baltë e dheut që ne i themi ‘dhe i vdekur’, i hedhur nga miniera. Ishte e pamundur që të punohej aty, sepse nevojitet një drenazhim i terrenit, që të mund t’i qasemi vendit të gërmimeve dhe mbetjeve kockore”. Është shprehur ai.

Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës ka thënë se vitin e kaluar në Kizhevak janë zhvarrosur eshtrat e pesëpersonave dhe se tashmë është konfirmuar se eshtrat e dy prej tyre  u përkasin viktimave të luftës në Kosovë, më saktë viktimave të masakrës së Rezallës.

(r.m.)