Gazë, 16 qershor 2024 – Tetë ushtarë izraelitë janë vrarë të shtunën nga një shpërthim në jug të Rripit të Gazës, njoftoi ushtria izraelite.
Ky ishte sulmi më vdekjeprurës ndaj forcave izraelite në muajt e fundit.
Sulmi i së shtunës ndodhi në Rafah, qytetin jugor të cilin Izraeli e ka identifikuar si bastionin e fundit të madh të Hamasit – grupit të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
“Ata e dinin se mund t’iu duhej ta flijonin jetën, por e bënë në mënyrë që ne të jetojmë në këtë vend. I përshëndes ata dhe i përqafoj familjet e tyre”, tha ministri i Jashtëm i Izraelit, Israeli Katz, në një postim në rrjetin social X.
Ushtria izraelite tha se shpërthimi ndodhi mëngjesin e hershëm në zonën Tal al-Sultan në Rafah.
Daniel Hagari, zëdhënësi i ushtrisë izraelite, tha se shpërthimi u shkaktua nga ndonjë mjet shpërthyes i vendosur nga Hamasi, apo nga ndonjë raketë antitanke.
Në janar, 21 trupa izraelite u vranë në një sulm të vetëm nga pjesëtarët e Hamasit në Gazë.
Izraeli e nisi luftën, duke u zotuar për ta shkatërruar Hamasin, pasi grupi radikal palestinez i vrau rreth 1.200 njerëz, kryesisht civilë, si dhe i rrëmbeu mbi 250 të tjerë gjatë sulmit të 7 tetorit në jug të Izraelit.
Më shumë se 100 pengje u liruan gjatë një armëpushimi njëjavor në nëntor, në këmbim të palestinezëve të burgosur nga Izraeli.
Më shumë se 37.000 palestinezë janë vrarë gjatë tetë muajve bombardime dhe sulme tokësore të Izraelit në Gazë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në enklavën palestineze, e cila udhëhiqet nga Hamasi.
Lufta e ka kufizuar dukshëm rrjedhën e ndihmave ushqimore, barnave dhe furnizimeve të tjera për palestinezët, të cilët po përballen me uri të madhe. Agjencitë e Kombeve të Bashkuara thonë se mbi 1 milion njerëz në Gazë mund të përjetojnë shkallën më të lartë të urisë kah mesi i korrikut.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha këtë javë se nuk pret të arrihet një marrëveshje armëpushimi për luftën në Gazë në një të ardhme të afërt, pasi një propozim i mbështetur nga SHBA-ja dhe të tjerët, nuk është pranuar plotësisht nga Izraeli apo Hamasi.
(Radio Evropa e Lirë)