Los Anxhelos, 16 qershor 2024 – Disa nga yjet më të njohur të Hollivudit morën vëmendjen kryesore gjatë një aktiviteti për mbledhje fondesh për fushatën e presidentit Joe Biden të shtunën në darkë. Sipas zyrtarëve të fushatës u mblodhën mbi 30 milionë dollarë duke nxitur shpresat për një rigjallërim të votuesve në zgjedhjet e nëntorit që ata thonë se janë më të rëndësishmet në historinë e vendit.
George Clooney, Julia Roberts dhe Barbra Streisand ishin ndër emrat e mirënjohur që u ngjitën në skenën e teatrit Peacock në Los Anxhelos, që ka një kapacitet prej 7100 vendesh. Drejtuesi i emisioneve të mbrëmjes, Jimmy Kimmel intervistoi presidentin Biden dhe ish-presidentin Barack Obama, të cilët theksuan nevojën për të fituar në zgjedhje përballë ish-presidentit Donald Trump, në një garë zgjedhore që pritet të jetë shumë e ngushtë.
Gjatë një diskutimi prej më shumë se gjysmë ore, zoti Kimmel pyeti nëse vendi po vuante nga amnezia për kandidatin e pritshëm për president të Partisë Republikane. Kësaj pyetjeje, presidenti Biden iu përgjigj se “ajo që duhet të bëjmë është që të kujtojmë se si ishin gjërat” kur ish-presidenti Trump ishte në Shtëpinë e Bardhë.
Ish-presidenti Trump e kaloi të shtunën duke bërë fushatë në Detroit dhe kritikoi menaxhimin nga presidenti Biden të ekonomisë dhe inflacionit. Presidenti po mblidhte fonde për fushatën “me emra elitarë të skenës së Hollivudit që janë të shkëputur nga realiteti”, tha zëdhënësja e fushatës elektorale të ish-presidentit Trump, Karoline Leavitt.
Por kur u pyet nga zoti Kimmel se cila do të ishte arritja për të cilën do të ishte më shumë krenar, presidenti Biden tha se përqasja e administratës së tij për ekonominë “funksionon”.
“Kemi sot ekonominë më të fortë në botë”, tha presidenti Biden, duke shtuar se “po përpiqemi t’u japim një shans të barabartë njerëzve të zakonshëm”.
Gjatë një aktiviteti të mëparshëm për mbledhje fondesh në muajin mars në Nju Jork, u mblodhën rreth 26 milionë dollarë për fushatën e presidentit Biden. Në atë aktivitet mori pjesë drejtuesi i emisoneve Stephen Colbert, i cili intervistoi presidentin Biden dhe ish-presidentët Obama dhe Clinton.
Megjithëse presidenti Biden pati një fillim më të hershëm, ish-presidenti Trump ka fituar terren pasi arriti të jetë një hap më pranë sigurimit të kandidimit zyrtar për president në emër të Partisë Republikane.
Ish-presidenti Trump arriti të mbledhë më shumë fonde se aktiviteti i presidentit Biden në Nju Jork, duke arritur kontribute në rreth 50.5 milionë dollarë në muajin prill gjatë një takimi me donatorët kryesorë në rezidencën në Florida të investitorit miliarder John Paulson. Ekipi i tij elektoral dhe Komiteti Kombëtar Republikan njoftuan se patën mbledhur 141 milionë dollarë kontribute gjatë muajit maj, dhjetëra miliona prej të cilave u mblodhën pasi ish-presidenti Trump u shpall fajtor në gjyqin penal në Nju Jork.
(Zëri i Amerikës)