Putin e falënderon Korenë e Veriut për mbështetjen e ndërhyrjes ushtarake të Rusisë ndaj Ukrainës

Phenian, 18 qershor 2024 – Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, arriti sot (e martë) në Phenian, për një takim me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un.

Para se të nisej për në Phenian, Putin e falenderoi Korenë e Veriut për mbështetjen që i ka dhënë ndërhyrjes ushtarake të Rusisë ndaj Ukrainës. Ai tha se dy vendet do të bashkëpunojnë ngushtë për të përballuar sanksionet “e imponuara” nga Shtetet e Bashkuara.

Putin tha se dy vendet do të vazhdojnë të kundërshtojnë ato që ai i cilësoi si “ambicie të Perëndimit për të penguar zbatimin e një rendi botëror shumëpolar të bazuar në drejtësi dhe respektin e ndërsjellë për sovranitet, duke marrë parasysh interesat e secilit vend”.

Putin tha gjithashtu se Rusia dhe Koreja e Veriut do të nënshkruajnë një marrëveshje tregtare midis tyre dhe për aplikimin e një istemi të pagesave që, siç u shpreh, “nuk kontrollohen nga Perëndimi”.

Koreja e Veriut po përballet me sanksione të ashpra ekonomike nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për shkak të programeve të saj të raketave dhe armëve bërthamore, ndërsa Rusia po përballet me sanksionet e vëna nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj Perëndimorë për shkak të agresionit kundër Ukrainës.

Në prag të vizitë dy-ditore të Putinit, rrugët e Phenianit ishin dekoruar me portrete të Putinit dhe me flamuj të Rusisë. Në rrugë ishte vendosur një banderolë e madhe, në të cilën shkruhej “E mirëpresim ngrohtësisht Presidentin e Federatës Ruse”.

Kjo është vizita e parë e Putinit në Korenë e Veriut pas 24 vjetësh.

Vizita e Putinit në Korenë e Veriut realizohet në kohën e shqetësimeve në rritje të Perëndimit rreth marrëveshjes që Koreja Veriore ta furnizojë me armë Rusinë, në këmbim të ndihmës ekonomike dhe teknologjike që do të shtonte kërcënimin që paraqet programi i armëve dhe raketave bërthamore të Koresë së Veriut.

Zyrtarë nga Shtetet e Bashkuara dhe nga Koreja e Jugut thonë se shkëmbimet ushtarake, ekonomike dhe të tjera mes Koresë së Veriut dhe Rusisë janë shtuar ndjeshëm pas shtatorit, kur Kim Jong Un e vizitoi pjesën lindore të Rusisë, ku u takua edhe me presidentin rus. Uashingtoni dhe Seuli e akuzojnë Korenë e Veriut se po e furnizon Rusinë me artileri, me raketa dhe me pajisje të tjera ushtarake që t‘i përdorë në Ukrainë.

Rusia, sikurse edhe Kina, ka ofruar mbështetje politike për planet e udhëheqësit koreavo-veriore për të çuar përpara programin bërthamor, gjë  që i ka bllokuar përpjekjet për vendosjen e sanksioneve shtesë nga Kombet e Bashkuara ndaj Koresë së Veriut pëer shkak të testimit të armëve bërthamore.

(r.m.)