Prishtinë, 27 prill 2021 – Në kohën e intensifikimit të përpjekjeve për vazhdimin e dialogut midis Kosovës e Serbisë, në publik doli edhe një “dokument” tjetër me subjekt marrëveshjen përfundimtare qësynohet të arrihet midis dy vendeve.
Gazeta “Koha” e Prishtinës e ka publikuar të martën një dokument që thuhet të jetë “non-paper për rifillimin e dialogut mes Kosovës e Serbisë dhe për përmbylljen e tij me një marrëveshje finale.
Sipas dokumentit, “secila palë do të respektojë sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë e palës tjetër”.
“Palët konfirmojnë se do të kryejnë rregullimin e kufijve të tyre dhe demarkacionin vetëm përmes marrëveshjes së përbashkët, se do të zgjidhin mospajtimet me mjete paqësore dhe se do të përmbahen nga kërcënimet apo përdorimi i dhunës në përputhje me frymën evropiane të zgjidhjes së mospajtimeve përmes dialogut”, thuhet në dokument.
Sipas tij, palët do të duhej të pajtoheshin edhe për krijimin e “Distriktit autonom në Kosovën Veriore”, i cili do të ishte,siç thuhet, “njësi e veçante administrative e vetëqeverisjes rajonale në Kosovë, e cila do të kishte të drejtë të rregullonte legjislacionin në bazë rajonale në fushat e ekonomisë, financave, pronësisë së infrastrukturës, kulturës, arsimit, kujdesit shëndetësor, mbrojtjes sociale, gjyqësorit, shërbimit policor, zhvillimit urban dhe bashkëpunimit evropian, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe me legjislacionin për qeverisjen lokale”.
Në dokument thuhet se “Distrikti autonom i Kosovës Veriore” do të përfshinte Zveçanin me 35 fshatra, Leposaviqin me 72 fshatra, Mitrovicën Veriore dhe Zubin-Potokun me 63 fshatra.
Në dokument propozohet edhe status special për kishat ortodokse serbe në Kosovë.
“Kisha dhe organizimi i saj i brendshëm do të duhej të njihej si palë vetëqeverisëse e sistemit politik dhe kushtetues të Kosovës, pronësia e saj do të duhej të jetë e paprekshme dhe do të duhej të gëzonte status të privilegjuar”, thuhet në dokument.
Madje, Kisha Ortodokse në Kosovë do të duhej të udhëhiqej nga kreu i Kishës Ortodokse Serbe, i cili do të duhej ta kishte selinë në Patriarkanën e Pejës.
Në dokument propozohet edhe krijimi i zonave të mbrojtura, në të cilën do të përfshiheshim mbi 40 kisha dhe objekte kulturore, të cilat nga serbët konsiderohen se pjesë e trashëgimisë kulturore serbe.
Sipas dokumentit, palët do të krijonin në Mitrovicë një zonë ekonomike që synon të jetë, siç thuhet, “katalizator për zhvillim ekonomik në të dyja anët e kufirit dhe në përputhje me konceptin e rajoneve evropiane”.
Në dokument thuhet se Kosova dhe Serbia “do të respektonin pavarësinë dhe autonominë e njëra-tjetrës, në çështjet e tyre të brendshme dhe të jashtme”.
Të dy palët do të krijonin një “këshill të miqësisë së ndërsjellë” për të siguruar implementimin e marrëveshjes.
Sipas hartuesve të dokumentit, procesi negociues do të udhëhiqej nga Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, me mbështetjen e Gjermanisë dhe Francës.
Gazeta “Koha” shkruan se nuk ka mundur ta vërtetojë autenticiteti i këtij dokumenti që thuhet se është përgatitur nga Gjermania dhe Franca. Sidoqoftë, disa diplomatë kanë thënë se pikat që përmenden në dokument janë ato që pritet të diskutohen në dialog.
Kohë më parë, portal slloven “Necensurisano..sl” e publikoi një “non-paper” që sugjeron ridefinimin e kufijve në Ballkanin Perëndimor. Ky dokument, autorësia e të cilit iu përshkrua kryeministrit slloven, Janez Jansha, propozon shpërbërjen e Bosnjës e Hercegovinës dhe bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.
Sugjerimet e “dokumentit” u hodhën poshtë kategorikisht nga pothuajse të gjithë akterët politikë në vendet e Ballkanin Perëndimor dhe nga qendrat më të rëndësishme të vendosjes, përfshirë SHBA-të dhe Bashmkimin Evropian. Kundërshtarët e idesë për ndryshim kufijsh e cilësojnë këtë si provokim për destanilizim dhe konflikte në Ballkanin Perëndimor.
(r.m.)