Prishtinë, 27 prill 2021 – Gjermania dhe Franca i kanë përgënjeshtruar raportimet se këto dy vende janë hartuese të dokumentit “non-paper” për marrëveshjen përfundimtare midis Kosovës e Serbisë, i cili u publikua të martën nga gazeta “Koha” e Prishtinës.
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, në një reagim në Twitter, ka shkruar se “non-paper” i publikuar nga “Koha” është “fake news”.
“I ashtuquajturi ‘non-paper’ franko-gjerman, i publikuar nga Koha Ditore është lajm i rremë. Mund të ketë dokument, por sigurisht që nuk është francezo-gjerman. Ne e përkrahim plotësisht dialogun e udhëhequr nga BE-ja dhe Miroslav Lajçak, siç e theksoi përsëri ministri i Jashtëm i Gjermanisë, (Heiko) Maas, të enjten e kaluar në Prishtinë”, ka shkruar Rohde.
Edhe Ambasada franceze në Kosovë ka thënë se Franca dhe Gjermania nuk janë burimi i atij “non-paper” dhe ka theksuar se këto dy shtete e mbështesin dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
“Franca dhe Gjermania nuk janë burimi i të ashtuquajturin ‘non-paper’ franko-gjerman të botuar sot në Koha Ditore. Ne e mbështesim plotësisht ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe mirëpresim përpjekjet e bëra në këtë drejtim nga përfaqësuesi special i ngarkuar për dialogun Beograd-Prishtinë, Miroslav Lajçak”, thuhet në reagimin e ambasadës franceze.
Gazeta “Koha” e publikoi këtë “dokument” për rifillimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë dhe për përmbylljen e këtij procesi me një marrëveshje përfundimtare.
Gazeta pranon se nuk ka mundur ta konfirmojë autenticitetin e këtij “dokumenti”, por disa diplomatë që janë kontaktuar “pakashumë kanë konfirmuar se pikat që përmenden në të janë në përputhje me ato që pritet të diskutohen në dialog”.
(r.m.)