Bukuresht, 20 qershor 2024 – Anëtarja e NATO-s, Rumania, njoftoi të enjten se do t’ia dërgojë Ukrainës një kundërajror “Patriot”, pas kërkesës së Kievit për ndihmë në luftën e tij kundër forcave pushtuese të Rusisë.
“Duke e marrë parasysh përkeqësimin e gjendjes së sigurisë në Ukrainë… anëtarët e këshillit vendosën t’ia dhurojnë Ukrainës një sistem ‘Patriot’, në bashkëpunim të ngushtë me aleatët”, tha Këshilli Suprem për Mbrojtje Kombëtare i Rumanisë.
Donacioni u bë “me kusht që vendi ynë vazhdon bisedimet me aleatët, në veçanti me SHBA-në, për pranimin e një sistemi të ngjashëm apo barasvlershëm” për ta mbrojtur hapësirën tonë ajrore, thuhet në njoftim.
Derisa Kievi po bën thirrje për më shumë kundërajrorë ‘Patriot’, vendet e NATO-s kanë ngurruar t’ia japin të tillë, pasi duan ta mbrojnë hapësirën e vet ajrore.
Së voni, Gjermania njoftoi se do t’ia dërgojë Ukrainës kundërajrorin e tretë ‘Patriot’, derisa Shtetet e Bashkuara pritet t’ia dhurojnë një bateri të dytë Kievit, sipas mediave amerikane.
Rumania e nënshkroi një marrëveshje në vlerë 4 miliardë dollarë për shtatë bateri ‘Patriot’ me SHBA-në më 2017, që është marrëveshja më e madhe për mbrojtjen në historinë e saj.
Dy prej katër kundërajrorëve që i ka marrë deri tani, janë plotësisht funksionalë.
Rumania i ka dhënë ndihmë ushtarake Ukrainës në luftën e saj kundër Rusisë, por nuk ka pranuar të tregojë shkallën e mbështetjes, për shkaqe sigurie.
Ajo është zotuar edhe t’i stërvitë pilotët ukrainas për përdorimin e avionëve luftarakë F-16, në një qendër rajonale të përuruar në nëntor 2023.
(Radio Evropa e Lirë)