Bruksel, 20 qeshor 2024 – Zyrtarët e Bashkimit Evropian (BE) besojnë se politikanët nuk duhet t’i politizojnë festivalet që promovojnë shkëmbime kulturore mes vendeve, siç është festivali “Mirëdita, dobar dan”, pas thirrjeve nga zyrtarë të caktuar në Beograd për anulimin e tij.
“Është e rëndësishme të përmbahemi nga gjuha nxitëse dhe politizimi i asaj që në thelb është një iniciativë kulturore e organizatave të shoqërisë civile që duan të promovojnë shkëmbime ndërkulturore dhe ndërpersonale. Shkëmbime të tilla janë pjesë e rëndësishme e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe kjo ngjarje duhet të mbahet”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, për Radion Evropa e Lirë.
Zyrtarë të caktuar në Beograd kanë kërkuar anulimin e këtij festivali, pavarësisht se kjo ngjarje ka për qëllim krijimin një platforme për bashkëpunim dhe dialog midis qytetarëve të Serbisë dhe Kosovës.
“Organizatorët duhet të jenë në gjendje të punojnë në një mjedis të sigurt dhe të gjithë qytetarët që duan ta shijojnë festivalin duhet ta bëjnë këtë në përputhje me të drejtën e tyre për lirinë e shprehjes dhe tubimin paqësor”, tha Stano.
Thirrjet për anulimin ose shtyrjen e festivalit po bëhen për shkak se ngjarja treditore përkon me Vidovdanin.
Kjo festë fetare dhe kombëtare festohet më 28 qershor në kujtim të Betejës së Kosovës, kur u përplasën ushtritë serbe dhe turke në vitin 1389.
Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, fillimisht u bëri thirrje organizatorëve që të mendojnë për shtyrjen e festivalit dhe më pas edhe për anulimin e tij, për shkak se gjatë këtyre ditëve shënohet edhe Vidovdani.
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të komunës së Beogradit, Aleksandar Shapiq tha se derisa ai të jetë në krye të kryeqytetit serb, nuk do ta japë asnjë lloj pëlqimi për mbajtjen e festivalit, pavarësisht se kjo ngjarje ka për qëllim krijimin një platforme për bashkëpunim dhe dialog midis qytetarëve të Serbisë dhe Kosovës.
Edhe pse vlerëson se festivali është një “iniciativë e lavdërueshme” e shoqërisë civile që kontribuon në ngritjen e urave ndërmjet popullit të Kosovës dhe Serbisë përmes aktiviteteve kulturore, Stano kërkon nga organizatorët që të mendojnë për implikimet që kanë data të caktuara në mbajtjen e këtij festivali.
“Vëmë re se organizatorët tregojnë fleksibilitet në rregullimin e datës së festivalit, në mënyrë që të shmangen keqkuptimet e mundshme dhe të sigurohen që pjesëmarrësit të ndihen rehat për t’iu bashkuar ngjarjeve kulturore, duke pasur parasysh ndjeshmërinë në lidhje me datën specifike”, tha Stano.
“Mirëdita, dobar dan” mbahet një herë në vit, në mënyrë alternative në Prishtinë dhe Beograd, me qëllim që ta afrojë skenën kulturore serbe me Kosovën dhe anasjelltas, për të prezantuar skenën bashkëkohore kulturore dhe artistike të Kosovës para publikut nga Serbia.
Këtë vit do të mbahet në Beograd nga 27 deri më 29 qershor.
Ngjarja organizohet nga organizatat joqeveritare – Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut, Iniciativat Qytetare nga Serbia dhe Integra nga Kosova.
Që nga themelimi më 2014, ky organizim kulturor në Beograd është përcjellë me protesta nga organizatat dhe partitë e krahut të djathtë në përpjekje për të parandaluar mbajtjen e saj.
Tani ftesa të tilla vijnë nga adresat më të larta zyrtare.