Tiranë, 27 prill 2021 – Në Shqipëri, me konfirmimin e humbjes së zgjedhjeve parlamentare që u mbajtën të dielën, brenda Partisë Demokratike ka nisur shprehja e pakënaqësisë me udhëheqjen partiake.
Anëtari i Kryesisë, Fatbardh Kadilli kërkoi sot largimin e menjëhershëm nga funksionet drejtuese dhe dorëheqjen e kryetarit Lulzim Bashës.
“U provua që është një projekt i pasuksesshëm, nuk siguroi sukses për demokratët, nuk arriti t’i shpërblejë demokratët për mbështetjen e pakursyer të përhershme që i kanë dhënë në këto 8 vjet. Ndaj të marrë përgjegjësitë si kryetar. Është kryetari që ka marrë mbështetje të pakursyer, të panegociuar nga demokratët”,tha Kadilli, në një intervistë për Zërin e Amerikës.
“Në politikë ne jemi për një kauzë, ne jemi për një projekt. Në qoftë se ky projekt nuk realizohet, duhet që brenda etikës normale të politikës por edhe të shoqërisë, të mbaj përgjegjësitë kryetari që është ai që ka drejtuar opozitën për këto 8 vjet. Kemi dhe një standard në Partinë Demokratike, ish-kryetari i Partisë Demokratike, Zoti Berisha, pas humbjes hapi proçesin e zgjedhjeve për të krijuar një lidership të ri”, shtoi ai.
Kadilli i bëri thirrje kryesisë së partisë që të mblidhet sa më shpejt dhe të përcaktojë modalitetet e garës për lidershipin e ri.
“… ne nuk mund të humbim kohë të presim se sa kohë do të marrë rivlerësimi apo reflektimi i kryetarit ekzistues apo i forumeve të tjera. Kemi traditën e para 4 vjetëve që, menjëherë pas zgjedhjeve, brenda mandatit të kryetarit, kemi shkuar në zgjedhjeve për kryetar të ri”, u shpreh ai.
Kadilli e shpalli kandidaturën e tij për kryetar të Partisë Demokratike, me bidnjen se do ta fitojë përkrahjen e demokratëve.
“Natyrisht, çdo ringritje është e vështirë dhe kam bindjen që do të gjej mirëkuptimin e demokratëve, së pari, për një proces të gjerë konsultimi, bashkëbisedimi, për ta ringritur Partinë Demokratike si një forcë që, jo vetëm synon, me kalkulime, të jetë në pushtet, por si një forcë e parë politike në vend, forca më e votuar në vend, që të marrë përgjegjësitë e qeverisjes”, tha Kadilli. (r.m.)