Çështje të Emigracionit nga Avokati Kieran Both
Presidenti Biden foli për një proces të ri që u mundëson personave pa dokumenta, të martuar me nënshtetas amerikanë, të aplikojnë për green card pa qenë nevoja të largohen nga Shtetet e Bashkuara. Këta persona mund të kualifikohen gjithashtu edhe për leje punësimi. Programi që mundëson këtë proces nuk ka filluar ende të pranojë aplikime, por pritet të fillojë nga fundi i verës menjëherë pasi të botohet në Regjistrin Federal njoftimi që do të ofrojë detaje mbi procesin e aplikimit si dhe informacione të tjera. Të gjitha aplikimet e paraqitura përpara datës së fillimit të procesit, të shënuar në njoftim, do të refuzohen.
Më 18 qershor, Departamenti Amerikan i Sigurisë Kombëtare (DHS) njoftoi se do të krijojë një proces të ri për të shqyrtuar, një nga një, kërkesat për persona që nuk kanë nënshtetësi amerikane por janë të martuar me nënshtetas amerikanë si dhe për persona që përfitojnë nga programi DACA dhe që njëkohësisht kanë kryer arsimin e lartë.
Jo-nënshtetasit e martuar me nënshtetas amerikanë mund të kualifikohen në rast se:
- kanë jetuar në Shtetet e Bashkuara për 10 ose më shumë se 10 vjet.
- nuk përbëjnë kërcënim apo rrezik për sigurinë publike apo komëbtare.
- i përmbushin kriteret e tjera për të aplikuar për ndreqje statusi.
- dhe meritojnë që diskrecioni nga ana e qeverisë të ushtrohet në mënyrë të favorshme për ta.
Fëmijët jo-nënshtetas të personave që kanë ndërmend të paraqesin kërkesë për bashkim familjar, mund të merren gjithashtu në konsideratë, nëse ndodhen fizikisht në Shtetet e Bashkuara, por nuk janë “pranuar” ligjërisht në SHBA, dhe qw 17 qershori, 2024 “i ka gjetur” në një marrëdhënie të kualifikueshme thjeshtër-prind adoptues me një nënshtetas amerikan.
Nëse përmbushin kriteret, këta jo-nënshtetas do të mund të aplikojnë për statusin e rezidentit të ligjshëm të përhershëm pa qenë nevoja të largohen nga SHBA-ja.
Sipas llogaritjeve paraprake të DHS-së ka rreth 500,000 bashkëshortë jo-nënshtetas të qytetarëve të SHBA-së të cilët mund të kenë të drejtë të përfitojnë nga ky proces; mesatarisht, këta jo-nënshtetas kanë banuar në Shtetet e Bashkuara prej 23 vjetësh. Përafërsisht 50,000 fëmijë të këtyre bashkëshortëve gjithashtu do të kualifikohen për këtë proces. Personat jo-nënshtetas që përbëjnë kërcënim për sigurinë kombëtare ose sigurinë publike nuk do të kualifikohen për këtë proces. Nëse një jonënshtetas përbën kërcënim për sigurinë kombëtare ose sigurinë publike, DHS-ja do ta mbajë në arrest, dëbojë ose do t’ia kalojë çështjen agjencive të tjera federale për verifikim, hetim ose ndjekje të mëtejshme, si ta gjykojë të përshtatshme.
Procesi dhe kriteret për kualifikim
Që të pranohesh të hysh në procesin e lartpërmendur, duhet:
- Të kesh hyrë në Shtetet e Bashkuara “pa u pranuar” në kufi apo pikën hyrëse;
- Në 17 qershor, 2024, të janë bërë jo më pak se dhjetë vjet që ke qenë fizikisht dhe pa ndërprerje kohe, i pranishëm në Shtetet e Bashkuara; dhe
- 17 qershori, 2024 të “ka gjetur” të martuar në mënyrë të ligjshme me një nënshtetas të SHBA-së.
- Gjithashtu, personat nuk duhet të kenë një të kaluar kriminale të tillë që i bën të “skualifikueshëm”, ose ata nuk duhet të përbëjnë kërcënim për sigurinë kombëtare ose atë publike, dhe nga çdo aspekt tjetër këta persona duhet të meritojnë një ushtrim të favorshëm të diskrecionit nga ana e qeverisë.
Nëse i përmbushni këto kritere, qeveria MUND t’ju japë “parole-in-place” që do të thotë se personat që kanë hyrë në SHBA pa “u pranuar” në mënyrë të ligjshme në kufi, tani “pranohen”. “Parole” do të jepet një herë të vetme për një periudhë trevjeçare. Gjithashtu mund të kualifikoheni për leje punësimi deri në tre vjet. Nëse ju aprovohet kërkesa për “parole” mund të aplikoni për green card brenda tre vjetëve nga miratimi.
Pas marrjes së kërkesës për parole-in-place – të paraqitur siç duhet nga aplikanti – USCIS-i do të vendosë rast pas rasti, nëse është me vend që kërkesa të miratohet dhe nëse meriton një ushtrim të favorshëm të diskrecionit. Të gjitha kërkesat do të marrin në konsideratë të kaluarën e mëparshme të aplikantit që ka bërë kërkesë me emigracionin, të kaluarën kriminale, rezultatet e vetting-ut për të parë nëse përbën rrezik për sigurinë kombëtare dhe atë publike, si dhe çdo informacion tjetër të rëndësishëm që USCIS-i e disponon ose e kërkon. USCIS ka në dispozicion procese të forta për të identifikuar dhe adresuar mashtrimet e mundshme, të cilat do të zbatohen për të garantuar integritetin e këtij programi.
“Ëndërrimtarët” dhe ata që përfitojnë nga programi DACA dhe që kanë gjithashtu arsim të lartë (që kualifikohen për status jo-emigrues, si për shembull një vizë H-1B) mund të kenë të drejtë të aplikojnë për një vizë të përkohshme më lehtë, nëse kanë një diplomë nga një institucion i arsimit të lartë i akredituar në SHBA; dhe nëse kanë një ofertë punësimi nga një punëdhënës amerikan në një fushë që lidhet me degën në të cilën jeni diplomuar).
Pritet të publikohet një njoftim në Regjistrin Federal ku do të përshkruhen hapat specifikë që duhet të merren në kuadër të këtij programi. Që të mund të merret në konsideratë për të përfituar nga programi, personi i interesuar duhet t’i paraqesë një formular USCIS-it së bashku me dokumentacionin mbështetës përkatës për të treguar se i plotëson kërkesat, si dhe të paguajë tarifën përkatëse.
Informacione të mëtejshme në lidhje me kriteret për kualifikim dhe procesin e aplikimit, përfshirë dhe njoftimin në Regjistrin Federal, do të publikohen së shpejti. USCIS-i do të hedhë poshtë të gjitha aplikimet apo kërkesat individuale të paraqitura përpara datës së fillimit të procesit, që mendohet të jetë nga fundi i verës.
Kini parasysh që programet në fjalë ENDE NUK KANë nisur. Detajet për mënyrën se si mund të aplikohet priten të jepen në fund të verës.
- NUK MUND të paraqisni një aplikim në këtë periudhë. Një aplikim i paraqitur para kohe DO TË REFUZOHET.
- NUK DUHET t’i paguani askujt tarifë që lidhet me paraqitjen e aplikimit, në këtë periudhë.
- TREGONI DURIM dhe shfrytëzojeni kohën në dispozicion për të gjetur ndihmën e duhur. Këshillat e gabuara mund të dëmtojnë shanset për të qëndruar në Shtetet e Bashkuara, për të marrë status të ligjshëm ose për t’u bërë nënshtetas amerikan.
- MOS U MASHTRONI nga agjencitë e udhëtimit dhe konsulentët e tjerë që premtojnë rezultate të menjëhershme ose zgjidhje të veçanta, për t’ju marrë paratë. Shumë persona të paskrupullt mund t’ju kushtojnë më shumë se avokatët e licencuar! Nëse nuk jeni të sigurt nëse dikush është ose jo i kualifikuar për t’ju ndihmuar, kërkoni kredencialet e tyre dhe mbani një kopje të tyre si provë.
Ky program mund të sfidohet edhe ligjërisht, gjë që mund të ndikojë në faktin nëse do të vihet ose jo në zbatim. Kjo e bën edhe më të rëndësishme të kesh një avokat të kualifikuar dhe që ka njohuritë e duhura për këtë çështje. Nuk duhet të veproni ose të mbështeteni në informacionin që jep ky artikull pa kërkuar më parë këshillën e një avokati emigracioni kompetent dhe të licencuar.
Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynё ёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]